Një sulmues vetëvrasës ka lënë së paku 15 të vdekur gjatë funeralit të një komandanti të policisë në lindje të Afganistanit. Një sulm tjetër në një spital materniteti në Afganistan nga tre të armatosur la së paku 14 viktima.

Raportohet se në funeralin ku ndodhi sulmi i parë po merrnin pjesë zyrtarë qeveritarë dhe një deputet, transmeton rtv21.tv.

Talibanët janë distancuar nga ky sulm dhe e kanë mohuar përgjegjësinë për të. Sulmi ndodhi në provincën Nangarhar, afër kufirit me Pakistanin.

Kjo provincë është e njohur për aktivitetin e militantëve të të ashtuquajturit Shtet Islamik.

Shifrat zyrtare janë se së paku 15 persona kanë vdekur, megjithatë Sohrab Qaderi, anëtar i këshillit provincial, tha se numri është shumë më i lartë. Sipas tij, së paku 50 persona janë vrarë dhe më shumë se 60 të tjerë janë plagosur.

Në një sulm të dytë tre sulmues me uniforma policie kanë hyrë në një spital materniteti në Kabul duke vrarë së paku 14 persona, dy nga viktimat ishin foshnje.

Policia ka arritur të vrasë të tre sulmuesit, duke evakuuar më shumë se 80 nëna e fëmijë nga spitali i cili u sulmua me armë e me granata dore.

Militantët e ISIS-it për herë të parë u shfaqën në Afganistanin lindor rreth vitit 2014, kur kishin filluar të luftonin kundër forcave qeveritare, talibanëve dhe forcave ndërkombëtare.

Dega afgane e ISIS-it, e njohur edhe si “Shteti Islamik i Korasanit”, i ka kryer disa nga sulmet më vdekjeprurëse në Afganistan në vitet e fundit./21Media