Dy persona u vranë, dhjetë u plagosën rëndë dhe tetë më lehtë në përleshjet midis migrantëve në vendbanimin Zhegar në Bihaq, në veriperëndim të Bosnje dhe Hercegovinës.

Lajmin e konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë Alle Shildediq, zëdhënës i policisë në kantonin Una-Sana.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e së mërkurës.

“Bëhet fjalë për pakistanezë, që thuhet se i kanë sulmuar afganët. Plagët janë shkaktuar me armë të ftohta”, tha Shildediq për REL.

Sipas tij, hetimet janë në vazhdim e sipër.

Vlerësohet se aktualisht në Bosnje dhe Hercegovinë ndodhen rreth 8,500 migrantë dhe refugjatë.

Rreth 6,000 prej tyre janë vendosur në shtatë qendra pranimi.