Dy vëllezër nga Deçani, njëri 13 e tjetri 17 vjeç sot vdiqën si pasojë e goditjes nga treni në statcionin Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë.

Gazeta gjermane “Bild” bënë të ditur se në mëngjesin e sotëm rreth orës 7:00, një aksident tragjik ka ndodhur në Landshut të Gjermanisë, dy vëllezërit kosovar Blerimi (13 vjeçar) dhe Hasani (17 vjeçar) duke tentuar të arrijnë trenin për Landshut kanë kaluar përmes hekurudhave dhe papritur nga një tren tjetër në lëvizje janë goditur për vdekje.

Viktimat janë anëtarë të familjes Arifaj nga Ratishi i Epërm i Deçanit.

Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj u shpreh se për qytetin sot është ditë zie. Ramosaj përmes facebook-ut e ngushëlloi familjen Arifaj.

“Deçani është tronditur rëndë nga tragjedia që ndodhi sot në Bruckberg afër Münchenit të Gjermanisë me ç’rast humbën jetën dy vëllezërit Arifaj, njëri në moshën 13 vjeçare dhe tjetri në moshën 17 vjeçare. Për Deçanin dhe qytetarët e Deçanit është rast i rënd dhe ditë e zezë tragjedia që i ndodhi familjes Arifaj nga Ratishi i Epërm i kësaj komune. Ngushëllime familjes dhe të gjithë qytetarëve për këtë rast tejet të rëndë!”, shkroi Ramosaj./21Media