Fshati i vogël, vetëm disa kilometra larg Prespës, do të mbetet e shkruar në historitë e Maqedonisë dhe Greqisë. Ekipi i TV21 e vizitoi para dy viteve një ditë para nënshkrimit të marrëveshjes. Fshati ishte i qetë, pa shenja se të nesërmen këtu do të shkruhet histori. Për më pak se 24 orë, të gjithë sytë në botë, ishin drejtuar kah Psarades ose Nivici. Përfaqësuesit e Greqisë arritën përmes rrugës tokësore, të ndjekur me grup protestuesish, kurse Zaevi me ekipin e tij me motoskaf. Shefi i diplomacisë greke ishte në element. Jo vetëm zgjidhja e problemit, por festohej edhe ditëlindja e negociatorit Nimic. Marrëveshja u nënshkrua në prani të përfaqësuesve të lartë të BE-së.

“Dua që t’ju dërgoj porosi kundërshtarëve të kësaj marrëveshjeje në të dyja shtetet. Dy shoqëritë tona, ajo greke dhe ajo maqedonase, janë pjesë e një sistemi evropian të vlerave. Qytetarët tonë njësoj i meritojnë, paqen, demokracinë, sundimin e së drejtës, lirinë në të gjitha format e saj. Shtetet tona janë të obliguara që të rreshtohen pas barazisë mes etniteteve, dinjitetit njerëzor dhe solidaritetit,” tha Zoran Zaev.

“Kemi obligim historik për ta vazhduar këtë rrugë dhe unë jam optimist se do të arrijmë sukses. Jam i bindur se popujt tanë do të jenë shembull për bashkëpunim në këtë rajon jostabil. Jo vetëm rajoni, por e gjithë bota ka nevojë për shembull, siç është i yni,” tha Aleksis Cipras.

Si kujtim për aktin historik, kryeministri Zaev e hoqi kravatën e tij dhe ia dhuroi Ciprasit.

Përmes liqenit, delegacioni maqedonas dhe ai grek, shkuan në bregun tjetër të Prespës.

Atje u shkrepën disa fotografi të përbashkëta. Kjo ishte fund i solemnitetit, por njëkohësisht edhe fillim i problemeve të reja. Ujërat e qeta të liqenit, u prishën nga protestat e organizuara nga ana e VMRO-DPMNE-së, në qytetin nën Pelister. Kështu që, ende pa u lindur, marrëveshja ishte varrosur.

Klerik: -Pa u lindur, vdiq. Duhet ta varrosim, mëkat është, do të “kalbet”.

Opozitat e të dyja vendeve gjatë nënshkrimit të marrëveshjes kishin reagime negative, kurse Demokracia e Re, pas marrjes së pushtetit në Greqi, e zbuti pozicionin, duke e mbështetur qëndrimin se vendi ka kontinuitet, marrëveshja tashmë është nënshkruar dhe ratifikuar dhe se Greqia do ta respektojë. VMRO-DPMNE-ja, ende nuk e ka ndryshuar qëndrimin.

Dy vjet më vonë, falë kësaj marrëveshjeje, Maqedonia u bë anëtarja e plotfuqishme të NATO-s, kurse mori dritë jeshile edhe për hapje të negociatave për aderim në BE./21Media