Dyshohet se sulmuan fizikisht dhe cenuan dinjitetin e një qytetari, ngritët aktakuzë ndaj dy policëve

Prokurori i Shtetit, ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve policor V.M., dhe A.A., në drejtim të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” si dhe veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 15 qershor 2022, rreth orës 22:40, në Stacionin policor të Fushë Kosovës, të pandehurit, në cilësinë e zyrtarëve policor, në bashkëkryerje, e kanë keqtrajtuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin L.H., në atë mënyrë që, përderisa të pandehurit e kishin ndalur të dëmtuarin në qytetin e Fushë Kosovës për shkak të një kundërvajtje në trafik, të njëjtit i kishin marrë dokumentet dhe i kishin kërkuar që të paraqitej në stacionin policor, i cili pasi kishte arritur në stacion, të njëjtin e kishin vendosur në një zyre dhe gjatë përpilimit të fletë-kundërvajtës, të pandehurit fillimisht e kishin fyer dhe cenuar dinjitetin e pastaj të njëjtin edhe e kanë sulmuar fizikisht, duke e goditur me grushte në fytyrë e më pas me shkelma e grushte në pjesë të ndryshme të trupit.
Prokuroria Themelore e Prishtinës njofton se këtë, në bashkëkryerje, të pandehurit kanë kryer veprat penale të lartcekura.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë./21Media

Back to top button