Në kohën kur seritë televizive po krijohen me të madhe, gjithandej nëpër botë, dhe ku kryesisht janë spektakle me shumë aktorë, figurantë, lokacione të shumta e interesante, si: “The Game Of Thrones”, “Vikings”, “House of Cards”, … dy vëllezër amerikanë, krijojnë një serial krejt ndryshe, me vetëm një lokacion, vetëm një vendxhirimi; ku nëpër episode zakonisht shfaqen një, dy ose më rrallë tre aktorë.

Seriali televiziv “Room 104” (Dhoma 104), është krijuar nga vëllezërit Mark e Jay Duplass, që janë të njohur për krijimin e filmave dhe serialeve minimaliste, por me “Room 104” ata shkojnë në minimalizëm ekstrem, dhe kështu krijojnë edhe veprën e tyre më të mirë deri tani dhe më të popullarizuar.

Ky serial i krijuar nga vëllezërit Duplass, i prodhuar nga HBO, tani ka arritur në sezonën e katërt dhe finale dhe ka pasur një shikueshmëri enorme, duke tejkaluar çdo parashikim të studios prodhuese, por edhe të kreatorëve të tij.

Në “Room 104” janë “futur” disa nga aktorët më në zë të ekranit, si: Philip Baker Hall, Michael Shannon, June Squibb, etj.

Dhe suksesi i tij nuk është vetëm për shkak se ka zgjuar kurreshtjen se është realizuar i tëri në një dhomë, por për shkak të mjeshtrisë së atyre që e kanë krijuar dhe që kanë arritur që mjeshtrisht, përmes një dhome, të shfaqin një Amerikë, ose një botë të tërë.