Insituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar sonte edhe 28 raste të reja me koronavirus në Kosovë. Nga këto 28 raste, dy janë nga komuna e Podujevës, përkatësisht njëri nga fshati Gërdoc dhe tjetri nga fshati Konushec.

Nënkryetari i kësaj komune, Nexhmi Rudari bëri të ditur se ekipet emergjente menjëherë janë udhëzuar për t’i ndërmarrë masat e nevojshme për vizita mjekësore dhe dezinfektim në familjet e të prekurve me këtë virus. U zotua se do të japin maksimumin në këtë drejtim.

“Për mua, si Nënkryetar i Komunës së Podujevës dhe si Kryetar i Shtabit Emergjent Lokal, shëndeti i qytetarëve është prioritet dhe jam i vendosur që të jap maksimumin tim në këtë drejtim. Do të kemi kohë edhe për beteja politike, por aktualisht preokupimi dhe angazhimi ynë i përbashkët duhet të jetë lufta kundër pandemisë Covid19.”, shkroi ai në Facebook./21Media