Sot dy ftesa nga Specialja

Sot dy ftesa nga Specialja

Gjykata Speciale e Hagës ftoi për intervistim veteranin Nevzat Berishën, pjesëtar i Zonës Operative të Pashtriut.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.

“Tash u njoftova se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, edhe veterani Nevzat Kryeziu nga Suhareka, pjesëtar i Zonës Operative të Pashtriut.”, njoftoi Gucati përmes facebook-ut.

Sot u njoftua se ftesë nga Specialja mori edhe veterani Sejdi Berisha.

Më 12 nëntor nga Gjykata Speciale është ftuar edhe ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Demush Laçi.

Ndërkohë, ftesat nga Specialja po vazhdojnë, gjatë këtyre ditëve është bërë e ditur se edhe Rexhep Selimi është ftuar për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Elshani, në cilësinë e dëshmitarit.

Gjatë këtij muajit është ftuar edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin dhe ish- pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Selim Krasniqi. Ndërsa, më 7 nëntor Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka deklaruar se e ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale. Ai përmes një konference për media ka treguar se kësaj ftese do t’i përgjigjet me 4 dhjetor.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000./21Media