Edhe Prishtina solidarizohet me gratë në Iran

Sot do të organizohet një protestë në solidaritet me gratë në Iran. Protesta është organizuar nga organizata joqeveritare “Youth Initiative for Human Rights Kosovo – YIHR KS”, dhe do të fillojë në ora 12:00 te sheshi “Skënderbeu”, në Prishtinë.
Irani është përfshirë kohët e fundit nga protestat pas vdekjes së një 22-vjeçareje, e cila ishte arrestuar nga e ashtuquajtura polici e moralit, pasi nuk kishte veshur në mënyrën e duhur shaminë e saj në përputhje me rregullat islamike.
Shumica e protestuesve ishin gra dhe ato hoqën shamitë e tyre të detyrueshme, apo hixhabet gjatë marshimit pas vdekjes së Mahsa Aminit.
Videot në internet tregojnë gra që valëvisin shamitë e tyre, duke brohoritur. Të tjera i kanë djegur ato ose kanë prerë flokët e tyre në shenjë zemërimi ndaj rastit që ndodhi.
Vdekja e Aminit ka zemëruar shumë iranianë, veçanërisht të rinjtë, të cilët e shohin këtë ngjarje si aktin më të fundit të një politike të ashpër të Republikës Islamike ndaj disidentëve dhe trajtimit gjithnjë e më të dhunshëm të grave të reja nga policia mbikëqyrëse e sjelljes.
Në disa nga demonstratat, protestuesit janë përleshur me policinë.
Ndërkohë, vullnetarët motoçiklistë të njohur si “Basij”, paramilitarë që bëjnë pjesë në Gardën Revolucionare të Iranit, kanë ndjekur dhe rrahur demonstruesit – siç ka ndodhur edhe në protestat e tjera viteve të fundit për ujë, ekonominë e rënduar të vendit dhe arsye të tjera, protesta të cilat janë shtypur me dhunë.
Megjithatë, disa demonstrues vazhdojnë të brohorasin “vdekje diktatorit”, duke kundërshtuar sundimin e liderit suprem Ali Khamenei dhe teokracinë e Iranit, pavarësisht kërcënimeve për arrestim, burgim dhe madje edhe mundësinë e një dënimi me vdekje./21Media

Back to top button