Në total 71 persona të infektuar nga koronavirusi

Në total 71 persona të infektuar nga koronavirusi

Në veri të Kosovës janë shënuar edhe tri raste të reja me koronavirus, që ka çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 71 persona, ka bërë të ditur Desanka Maksimoviq, epidemiologe, gjatë konferencës për media të shtabit të krizës që u mbajt sot në veri të Mitrovicës.

Sipas saj, bëhet fjalë për dy persona nga veriu i Mitrovicës dhe një person nga Leposaviqi.

“Kemi tre raste të reja të të infektuarve…Nga fillimi dhe deri ditën e djeshme janë testuar mostrat e 584 personave, nga të cilat kemi 72 të infektuar…Nëpër komuna situata është si vijon, Mitrovicë gjithsej 31 persona, një i vdekur dhe katër të shëruar, Zveqan 18, Leposaviq 9, një i vdekur, Zubin Potok 13 dhe Graçanicë një person”, ka thënë Novakoviq.

Ajo ka shtuar se nuk e dinë saktë numrin e burimeve të infeksionit, por se janë disa, gjë që e konfirmon numri i të infektuarve në këtë moment, ndërsa ka porositur qytetarët të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve shëndetësore, pavarësisht festave ortodokse, të cilat janë ditët në vijim.

Në anën tjetër, Aleksandar Spiriq, nënkryetar i komunës së veriut të Mitrovicës, ka bërë të ditur se numri i të infektuarve dëshmon se qytetarët nuk guxojnë të relaksohen së tepërmi dhe të dalin nga shtëpitë e tyre panevojë.

Ai ka potencuar se organet komunale janë të vendosura më shumë se kurrë që të luftojnë për mbrojtjen e shëndetit të secilit qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Mitrovica numëron gjithsej 31 të infektuar, prej të cilëve dy raste vetëm gjatë ditës së sotme, që është tregues I qartë se nuk guxojmë të relaksohemi tepër, dhe të dali m pa nevojë në qytet…Vendosmëria jonë është që të luftojmë për jetën dhe shëndetin e secilit njeri, pavarësisht përkatësisë fetare dhe moshës”, ka theksuar Spiriq.

Ai ka përsëritur nevojën e qëndrimit në shtëpi, sepse siç është shprehur ai, ‘po hyjmë në javën e katërt të epidemisë, e cila është shumë e rëndësishme për qytetarët”.