Festivali internacional i filmit në Tetovë “ODA” do të mbahet për të nëntën herë në Tetovë prej sonte e deri më 15 tetor, paralajmëruan organizatorët e konferencës për shtyp. Sonte hapja e festivalit është me filmin “Egzil” të regjisorit Visar Morina nga Kosova nga ora 19:00 në qendrën për kulturë “Ilo Anteski-Smok”.

“Mendoj se ky edicion i festivalit është një prej më të fuqishmëve deri më tani. Sivjet motoja është Emigrimi, evakuimi – problem i madh në kohën tonë. Në kohë të pandemisë kur u hapën kufijtë, autobusët janë plot me njerëz të cilët duan të shkojnë jashtë vendit”, deklaroi Sabedin Seljmani, njëri prej organizatorëve të konferencës për shtyp.

Do të emetohen 14 filma me metrazh të gjatë dhe 56 me metrazh të shkurtër.

Filmat me metrazh të shkurtër do të shfaqen online, ndërsa ato me metrazh të gjatë në sallën e madhe të qendrës për kulturë në pajtim me protokollet për kufizim të numrit të vizitorëve dhe vetëm me rezervim të marrë në vend, shkruan TV21./21Media