Hyjnë fuqi masat e reja antiCOVID-19

Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të mbajtur dje, ka marrë vendim për masat e reja për luftimin dhe parandalimin e COVID-19, masa këto të cilat kanë hyrë në fuqi sot (13 shtator) dhe do të zgjasin deri më 26 shtator.
Çdo person, i cili hyn në Kosovë, duhet të ketë me vete dëshminë e vaksinimit të plotë apo të njërës dozë apo testin RT-PCR negativ të bërë brenda 72 orëve. Ora policore vazhdon të jetë në fuqi nga 22:00-05:00, përveç në rastet emergjente.
Aktiviteti mësimor në institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar, duke përfshirë edhe institucionet e arsimit parashkollor dhe të qëndrimit ditor, pezullohet deri më 26 shtator, ndërsa gastronomia lejohet të zhvillojnë aktivitetin e saj nga ora 05:00-21:30.
Pavarësisht numrit të personave, ndalohet veprimtaria e klubeve të natës si dhe organizimi i festivaleve, koncerteve, ekskursioneve, pelegrinazheve, dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe shoqërore, në të gjithë territorin e Kosovës.
Në vendimin e Ministrisë theksohet se bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: Gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; Gjatë vrapit, çiklimit dhe ushtrimeve fizike dhe Gjatë ngrënies apo pijes. Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve vazhdon të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Minstri i Shëndetësisë, Arben Vitia dje gjatë një konference për media shtoi se masat e reja mund të ndryshohen varësisht nga situata në terren, edhe gjatë periudhës sa janë në fuqi, mund të lirohen apo të forcohen./21Media

Back to top button