“Ekipet teknike po përgatisin detajet se cilat aktivitete biznesore mund të punojnë”

Kurti tregoi për arsyet e kërkesës së tij për ndihmë nga diaspora

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia sonte u deklarua rreth aktiviteteve biznesore që do të zhvillohen pas masave të reja të karantinimit që pritet të merren ditëve në vijm. Sipas tij, është duke u punuar edhe në aspektin e furnizimit e qytetarëve me produkte esenciale nga Prishtina.

I pyetur se a do të ndalojë punën sektori i prodhimit dhe i ndërtimtarisë, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se janë formuar ekipe teknike, të cilat janë duke analizuar në hollësi aktivitetet të cilat do të lejohen të zhvillojnë veprimtaritë e tyre.

“Para disa ditësh, kryeministri ka autorizuar disa ministri të linjës ku kemi formuar një grup, i cili është duke analizuar në hollësi të gjitha aktivitetet të cilat do të lejohen edhe në rast se vijn ë këto rekomandime, ashtu siç erdhën prej IKSHP-së, edhe në momentin që po flasim në MSH këto ekipe teknike edhe duke përfshirë edhe ekipe nga MEPTINIS janë aty për të parë se cilat aktivitete biznesore mund të lejohen dhe nuk paraqesin rrezik për përhapjen e virusit COVID-19”, tha Vitia.

Ndërsa, kryeministri në detyrë Albin Kurti tregoi për arsyet e kërkesës së tij për ndihmë nga diaspora gjatë kohës kur vendi po përballet me koronavirusin e ri COVID-19.

“Kemi kërkuar ndihmë nga bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut që të ndihmojnë Kosovën në tejkalimin e pandemisë COVID-19 meqenëse në buxhetin e Kosovës natyrisht që ka rënie të të hyrave në një anë, dhe në anën tjetër gjithashtu ka shpenzime të pa parashikuar. Në kushtet kur sistemi shëndetësor publik e kemi në gjendje aspak të mirë. Unë në komunat që kam vizituar gjatë javës, kam pyetur edhe për spitalet rajonale dhe për QKMF dhe nevojat janë shumë të mëdha sepse mungesat janë të mëdha”, tha ai.

Kurti shtoi se prilli do të jetë vendimtar për të ndaluar lakoren e rritjes së COVID-19, duke u bërë apel qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, në mënyrë të bie intensiteti i lakores së përhapjes së koronavirusit, në të kundërtën gjendja mund të rezultojë me vdekje të shumta dhe të çojë në kolapsin e sistemit shëndetësor.

Ndryshe, në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur 7 persona, 283 janë të infektuar, ndërsa, 58 janë shëruar.

Back to top button