Në kuadër të përgatitjes së programit dhe planit të qeverisjes alternative, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka mbajtur një takim virtual me ekonomistin e njohur korean Ha-Joon Chang nga Universiteti Cambridge në Britani të Madhe.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se profesori Chang do ta ndihmojë Vetëvendosjen për programin dhe planin e qeverisjes alternative.

Në takim është biseduar lidhur me sfidat me të cilat Kosova po përballet në këtë fazë të zhvillimit të saj, si dhe mundësitë e veçanta të cilat vendi duhet t’i shfrytëzojë deri në maksimum, në mënyrë që të garantohet suksesi zhvillimor gjatë viteve të ardhshme.

Chang tha se ekziston zgjedhja midis varieteteve të kapitalizmit dhe se nga shtetet e tjera e kohërat e tjera duhet të mësojmë e të mos imitojmë.

Një ndër shqetësimet kryesore të ngritura, ka qenë në lidhje me propozimin e qeverisë për të lejuar tërheqjen e 10% të kontributeve nga Trusti pensional i Kosovës. Sipas profesorit Chang, ky propozim është po aq i rrezikshëm sa është edhe i pakuptimtë. Sipas vlerësimit të tij, një politikë e tillë jo vetëm se do të dështojë të ndihmonte pikërisht ata qytetarë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje në këtë kohë pandemie, por edhe do t’i rrezikonte seriozisht kursimet pensionale të brezave të ardhshëm.

Në vend të këtij propozimi, profesori Chang ka propozuar një nismë tjetër për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës.

Duke marrë parasysh fuqinë e madhe ekonomike dhe patriotike të mërgatës sonë, ai rekomandon që të krijohet për mërgimtarët mundësia për të investuar në të ardhmen e Kosovës përmes letrave me vlerë, përfitimi prej të cilave do të varej të paktën pjesërisht nga rritja ekonomike e vendit gjatë viteve të ardhshme.

Në këtë mënyrë, sipas tij, Kosova do të mund t’i plotësojë nevojat e menjëhershme të qytetarëve në këtë kohë të vështirë dhe njëkohësisht t’i bëjë mërgimtarët hisedarë dhe aksionarë të vërtetë të së ardhmes së Kosovës, pa e rrezikuar fare mbijetesën e Trustit pensional apo institucioneve të tjera më jetike të Kosovës.

Në parim, shumë më mirë e më lirë është të huazojë qeveria sesa qytetarët, sidomos në kohë krizash si kjo e tanishmja; në një vend me pak eksport e shumë import si Kosova futja e duarve në Trustin pensional vetëm sa e rrit deficitin tregtar”, theksoi Chang.

Kurti bëri të ditur se gjatë javëve në vijim, në konsultim me ekspertët më të shquar vendorë dhe botërorë, do të shpalosen ide dhe propozime të tjera.

Në mungesë të një qeverie minimalisht të aftë për t’u përballur me sfidat e konsiderueshme që po i hasim, qytetarët e Kosovës meritojnë që subjekti politik më i madh i vendit të mos luajë rolin vetëm të opozitës, por të propozojë zgjidhje specifike, të mirëmenduara dhe të hollësishme për ta nxjerrë vendin tonë nga krizat shëndetësore, ekonomike dhe politike në të cilat gjendemi”, është shprehur ai.