Nga e hëna, shkollat do të rihapen dhe deri në gjashtë persona mund të mblidhen bashkë në Angli. Por këshilltarët shkencorë të qeverisë britanike kanë paralajmëruar se rreziku i heqjes së izolimit është i madh.

Profesori John Edmunds, tha se vendimi për zbutjen e masave është politik ndërsa Jeremy Farrar, tha se sistemi i testimit dhe gjurmimit të Shërbimit Kombëtar të Shëndetësisë, duhet të bëhet tërësisht funksional.

Sipas parashikimeve të Zyrës Kombëtare të Statistikave, në Angli ka rreth 8 mijë raste në ditë të koronavirusit dhe këto nuk përfshijnë rastet në shtëpitë e kujdesit apo spitale. Për ekspertët, nivelet e koronavirusit janë ende shumë të larta dhe do të duhej të pritej ulja e rasteve para se masat të zbuteshin.

Deri më tani në Angli janë regjistruar 27 mijë e 432 viktima nga koronavirusi, ndërsa janë të infektuar mbi 132 mijë persona.

Në tërë Britaninë e Madhe, janë të konfirmuara mbi 271 mijë raste me koronavirus./21Media