Krasniqi: Është një komplot në këtë mes

Krasniqi: Është një komplot në këtë mes

Analisti dhe profesori universitar, Milazim Krasniqi reagoi ndaj rastit të Flora Brovinës. Sipas tij prapa skandalit qëndron shërbimi sekret serb.

Andaj, Krasniqi propozoi që të dënohen komunistët si të hapen dosjet e spiunëve të shërbimeve sekrete serbe.

Skandali i Flora Brovinës e rikthen urgjencën për dy gjera: 1) dënimin e krimeve të komunizmit, ashtu që ata të dënohen me vendime gjyqësore, ndërsa pasardhësit e tyre e pakta të identifikohen dhe 2) të hapen dosjet e spiunëve të shërbimeve sekrete serbe e jugosllave, civile e ushtarake. Pse është urgjente? Është urgjente sepse gjithë këto skandale, gjithë ky krim i organizuar, gjithë këto projekte antishqiptare, bllokimi i shtetit dhe humbja e perspektivës, të gjitha e kanë një adresë: konspiracionin permanent të shërbimeve sekrete serbe”, shkroi Milazim Krasniqi në Facebook.

Tutje ai ka shtuar se shteti është kapur nga disa eksponentë të shërbimeve sekrete serbe.

“Si duket, disa eksponentë të atyre shërbimeve i kanë marrë në dorë disa nga levat më të rëndësishme të shtetit e të shoqërisë sonë. Nuk ka shpjegim tjetër gjithë ky dështim! Në njërën anë jemi populli më proeuropian, ndërsa në anën tjetër shtet mazohist. Nuk ka logjikë. Pra, është një komplot në këtë mes.”, përfundoi Krasniqi.

Flora Brovina dje publikoi një fotografi, e cila sipas saj dëshmonte dhunën seksuale që serbët kanë ushtruar ndaj grave shqiptare gjatë luftës.

Për foton u tha se është e falsifikuar. Flora Brovina është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitares, ndërsa shprehu gatishmëri të dëshmojë për rastet e dhunës.

Pas përfundimit të intervistimit deputetja, Flora Brovina u kërkoi falje të gjitha viktimave dhe familjarëve të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë për shqetësimin me fotografinë që prezantoi dje, derisa pranoi që ajo edhe mund të jetë e pavërtetë./21Media