Si të gjitha artistet femra të epokës së saj, Gabriele Munter është përpjekur shumë për t’u vlerësuar dhe njohur gjatë jetës së saj. Ajo pa gjithashtu sesi u hijezuan kontributet e saj ndaj ekspresionizmit gjerman nga kolegët e saj meshkuj.

“Në sytë e të shumtëve, unë kam qenë vetëm një garniturë për Kandinsky-n”, ka shkruar ajo një herë. “Shpesh harrohet, me shumë lehtësi, se gratë mund të jenë artiste krijuese me një talent të vërtetë dhe origjinal”.

Më shpesh, Munter-i mbahet mend si partnerja afatgjatë e Kandinsky-t, por kontributet e saj për teoritë dhe estetikën e “Der Blaue Reiter” ishin thelbësore. Nga shtëpia e saj në Mynih dhe që ajo e ndante me Kandinsky-n, ata të dy së bashku eksploruan se ngjyra dhe forma abstrakte mund të evokojnë gjendjet e brendshme. Në veçanti, peizazhet e Munter-it, evidentojnë gatishmërinë e saj për të hedhur poshtë përfaqësimin strikt dhe për të lëvizur nga post-impresionizmi në një stil më shprehës. Tek “Shkolla, Murnau”, ajo paraqet ngjyrime rrezatuese dhe të panatyrshme e penelata të gjera dhe agresive të një peizazhi të qytetit gjerman.

Ajo e pikturoi ketë vepër në vitin 1908, gjatë pushimeve të shkurtra verore në fshatin rural me Kandinsky-n dhe bashkëpatriotët e tyre të “Blaue Reiter” Alexej von Jawlensky-n dhe Marianne Werefkn-in. Atje Munter-i “kaloi nga pikturimi sipas natyrës, më shumë apo më pak impresionuese, tek përmbajtja e ndjenjave dhe e abstragimit”, siç kujtonte ajo në një shënim të saj në ditar në vitin 1911. Me të vërtetë, shumë prej veprave që ajo realizoi gjatë qëndrimit atje, përfshijnë fshikullime të trasha të ngjyrës dhe penelata të shpejta dhe energjike, në të cilën Munter-i lejonte emocionet dhe intuitën e saj që të merrnin kontrollin.

“Shumica e veprave të mia të suksesshme janë pikturuar shpejt dhe pa korrigjime”, ka shkruar ajo më vonë, “sikur janë bërë vetë”.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti