Elbasan, monumentet kulturore drejt degradimit
15 Gusht 2020
Elbasani është një qytet i cili ofron vetëm turizëm historiko-kulturor ndaj objektet kulturore janë të një rëndësie të veçantë.
Por panorama që të ofrohet janë një sërë objektesh që rrezikojnë degradimin apo edhe shembjen.
Kalaja e qytetit, e cila mbart më së shumti vlera kulturore mban edhe numrin më të madh të objekteve kulturore, siç është kisha Shën Maria rreth 600 vjeçare, varri i Kostandin Kristoforidhit apo edhe shtëpia e Aleksandër Xhuvanit, të cilat janë lënë në harresë.
Vetë qytetarët shprehen se ky vend historik nuk duhet lënë pas dore pasi përcjellë vlera kulturore.
”Kjo trashëgimi e vyer, që paraqitet materialisht nëpërmjet monumenteve, statujave, kalave, në qytetin tim në Elbasan, ka filluar të degradohet. Nuk është mirë të përddhoset figurat e monumenteve të historisë”.
Ata gjithashtu kanë dhe një apel për institucionet.
”Më e keqja është se ministria përkatëse e kulturës, por dhe drejtoria e kulturës në bashki, nuk kujdeset dhe nuk vë dorë, është për të ardhur keq. Duhet të ketë një departament të posaçëm për kujdesin dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore”.
Për shkak se një pjesë e monumenteve kulturore janë të kategorisë së parë ato janë nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës dhe drejtuesve të këtyre objekteve nuk iu lejohet ndërhyrja në restaurim apo mirëmbajtje duke bërë që të rrezikojnë edhe me shumë ekzistencën e tyre.