Emërimi i një gjyqtare serbe në Preshevë, Bislimi: BE-ja të reagojë urgjent dhe ta ndalë këtë diskriminim

Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka reaguar pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor në Serbi e ka emëruar së fundmi Aleksandra Kuzmanoviqin në krye të Gjykatës për Kundërvajtje në Preshevë.

Sipas Bislimit, ky vendim thellon margjinalizimin e profesionistëve shqiptarë, duke përforcuar pabarazinë në institucionet vendimmarrëse në Luginë të Preshevës.

“Tre zëvendësprokurorë shqiptarë në pension janë zëvendësuar me serb. Në rrethin e Pçinjës shqiptarët zënë vetëm 12% të posteve gjyqësore dhe përbëjnë vetëm 2.7% të gjyqtarëve pavarësisht se përbëjnë 30% të popullsisë. Në vitin 2011 është shpërbërë edhe Gjykata Themelore (Komunale) në Preshevë”.

“Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Shëndetësore të Preshevës ka qenë mjek serb për 2 vjet, ndërsa serbët përbëjnë vetëm 3% të popullsisë në këtë zonë. Angazhimi i Serbisë për të drejtat e pakicave është inekzistent”, shkroi Bislimi.

Tutje, ai tha se është urgjente që BE të reagojë dhe të ndalojë këtë diskriminim agresiv të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Back to top button