Engel: Zgjidhja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë duhet të përmbajë njohjen reciproke

 

Kryesuesi i Komitetit për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Eliot Engel ka lëshuar një deklaratë lidhur me takimin mes delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë që do të zhvillohet të premten në Shtëpinë e Bardhë.

Engel ka deklaruar se rinisja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Washington është një zhvillim pozitiv. Ai ka theksuar se konflikti i gjatë mes dy vendeve ka dëmtuar jetët e shumë njerëzve dhe ka penguar zhvillimin e rajonit dhe integrimin në Evropë.

“Një zgjidhje përfundimtare e konfliktit duhet të përfshijë disa parime kryesore: Ajo duhet të çojë në njohjen reciproke nga Kosova dhe Serbia. Ajo duhet të hapë rrugën që Kosova dhe Serbia të hyjnë në të gjitha strukturat e Atlantikut të Veriut, duke përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO. Dhe, ajo duhet t’i japë Kosovës anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera të rëndësishme ndërkombëtare në mënyrë që të mund të ecë përpara siç do të bënte çdo vend tjetër”, ka thënë tutje miku i madh i Kosovës.

Duke përmendur bisedimet e zhvilluara deri më tani mes Kosovës dhe Serbisë, Engel është shprehur se gjasat për një marrëveshje që i jep fund konfliktit janë të vogla.

“Presidenti serb Vuçiq, i cili po e çon vendin e tij larg komunitetit të Atlantikut të Veriut dhe më afër Rusisë, ka kundërshtuar vendosjen e njohjes reciproke në tryezë. Në fakt, delegacioni serb thotë se po vjen në bisedime vetëm për të diskutuar çështje ekonomike. Përderisa nuk ka asgjë negative në lidhje me rritjen e tregtisë dhe zhvillimin ekonomik, ky është një konflikt politik i cili kërkon një zgjidhje politike”, ka theksuar Eliot Engel.

Engel ka përmendur drejtësinë e munguar për viktimat e “pastrimit etnik, përdhunimeve dhe krimeve të tjera të luftës, duke përfshirë edhe vrasjen e qytetarëve amerikanë – vëllezërve Bytyqi, të kryera nga Qeveria e Sllobodan Millosheviqit, në të cilën presidenti Vuçiq ishte ministër”.

“Duhet të ketë përgjegjësi për autorët e krimit në mënyrë që njerëzit në të dy vendet të mund të përqafojnë të ardhmen”, ka shtuar ai.

Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme është shprehur i inkurajuar qëllimi i qartë i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, në negociatat me palën serbe – arritja e një marrëveshjeje që përfshin njohjen reciproke, pa rrezikuar integritetin territorial të Kosovës.

“Kosova meriton një të ardhme normale ku njerëzit e saj mund të udhëtojnë lirshëm dhe të qëndrojnë krah për krah me ato të demokracive në botë, përfshirë Shtetet e Bashkuara”, ka theksuar Eliot Engel, sipas deklaratës së publikuar nga shërbimi për shtyp i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së./kallxo

Back to top button