Nga Stefan Çapaliku

Edhe nga Gjermania e afërt lajmet na vinë dy vjet me vonesë, dhe po të mos e kesh mendjen, nuk vinë kurrë. Kjo është Shqipëria jonë europiane, e cila të promovon vetëm nëse kapesh diku me drogë, krime a vjedhje bankash; nëse je e dashura shalgjate a cicmadhe e ndonjë bosi mafioz, politikani apo edhe manjati mediatik.

Ndërkaq, brezi i dytë i emigracionit shqiptar të mbas viteve ’90, i lindur dhe i selitur në liri, po lulëzon. Janë fëmijët e atyre që nuk pritën derisa Shqipëria “të integrohej”, (Gjë që, siç po e tregon puna, do të ishte një pritje godojane).

Një ndër to është Enis Maçi, e lindur në Gelsenkirchen në 1993. E shpallur si dramaturgia e re më e mirë e Gjermanisë për sezonin artistik 2018-2019. Po, a e dini çdo të thotë të shpallesh në Gjermaninë e teatrit më të mirë të botës, dramaturgia më e mirë?! Kjo është një gjë e mjaftë për ta bërë ministren tonë të Kulturës, që të mbledhë të gjitha lulet e Shqipërisë, në një buqetë më të madhe se mediokriteti i vet.

Por le të kthehemi te zonjusha jonë e nderuar. Enis Maçi studioi shkrimtari letrare në Leipzig dhe sociologji kulturore në Londër. Në vitin 2018 shfaqja e saj “Mitwisser” (I besueshmi) u shfaq premierë në Schauspielhaus Wien, me të cilën ajo u nominua për “Çmimin e dramaturgut më mirë” të Mülheim në 2019 dhe më pas u shpall nga forumi i kritikëve të revistës “Teater heute” (Teatri sot), si “Dramaturgia e re e vitit”

Në vitin 2019 u shfaq premiera botërore e dramës së saj “Auto” në Schauspielhaus Wien. Kurse në sezonin 2018-2019, Enis Maci u bë dramaturge e brendshme në “Nationaltheater Mannheim”.

Në ndërkohë ajo publikoi edhe vëllimin e vet me ese “Eiscafé Europa” botuar nga Suhrkamp Verlag. Për këtë libër gazeta e famshme  “Süddeutsche Zeitung” shkruan: “‘Eiscafé Europa’ është një barrierë e egër koralesh, ku ngecin të gjitha llojet e sendeve: diskutimet mbi artikujt në wikipedia, mbi gjuhën dhe mitet e familjes së saj shqiptare, mbi shfaqjet e identiteteve të reja, mbi rininë e saj në Gelsenkirchen, mbi poetë krejtësisht të panjohur…”

Së fundmi ajo është nderuar edhe me çmimin letrar “Tekst & Gjuhë” nga “Kulturkreis der deutschen Wirtschaft” dhe me “Çmimi i Letërsisë” në Ruhr. Gjatë këtij viti në vijim Enis Maci do jetë pjesë e bursave prestigjioze të “Akademisë së Kulturës Tarabya” në Stamboll dhe të “Villa Aurora” në Los Anxhelos.

Rrugë të mbarë, në emër të dramaturgëve shqiptarë!

Tiranë, e merkura e perhime, 17. 02. 2021