Nxënësja kosovare, Era Syla ka fituar Medalje të Argjendtë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza-EGMO 2021. Këtë lajm e ka bërë të ditur sot Shoqata e Matematikanëve të Kosovës, e cila ka shtuar se ky sukses i Erës do të ishte shumë më i vështirë pa mbështetjen profesionale të kolegëve e anëtarëve të Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës.

“Me këtë rast, një falënderim të veçantë e meritojnë udhëheqësit e ekipit të Kosovës: Lideri i ekipit, matematikani Valmir Krasniqi dhe zëvendëslideri i ekipit, matematikani Dorlir Ahmeti, të cilët për vite me radhë kanë dhënë kontribute të rëndësishme për përgatitjen profesionale të nxënësve olimpiadistë të talentuar në matematikë.”, ka bërë të ditur shoqata.

Kjo është medalja e parë e argjendtë e Kosovës në një olimpiadë prestigjioze ndërkombëtare për nxënës të arsimit parauniversitar.

EGMO është gara më e rëndësishme evropiane e matematikës për vajza, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e Evropës dhe shumica e vendeve jashtë Evropës marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve, të përfaqësuara nga nxënëset më të mira të matematikës. EGMO është kampionati evropian i matematikës për nxënëset e shkollave të mesme.