Turqia  ka dërguar armë në Libi

Turqia  ka dërguar armë në Libi

Turqia do ta rrisë mbështetjen ushtarake për Qeverinë e Libisë, e cila njihet nga Kombet e Bashkuara, nëse është e nevojshme, tha sot presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia mbështetë Qeverinë e Libisë që udhëhiqet nga Fayez al-Serraj. Turqia po ashtu ka dërguar armë në Libi edhe pse një gjë e tillë është e ndaluar me embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara.

Ankaraja thotë se në Libi mund të dërgohen trupa nëse qeveria e Serraj kërkon një gjë të tillë.

Forcat e qeverisë së Serraj po luftojnë me forcat e komandantit Khalifa Haftar. Ky komandant ka mbështetjen e Rusisë, Egjiptit, Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Presidenti turk, Erdogan tha se Turqia së fundmi i ka ofruar mbështetje “mjaft serioze” Qeverisë në Tripoli.

“Ata po mbështesin një komandant të paligjshëm (Khalifa Haftar), i cili është bërë peng i disa shteteve të caktuara, në vend se të mbështesin qeverinë e njohur nga Kombet e Bashkuara (qeverinë e udhëhequr nga Fayez al-Serraj)”, tha presidenti turk.

“Nëse është e nevojshme, ne do ta rrisim mbështetjen për Libinë në aspektin ushtarak dhe do t’i vlerësojmë të gjitha opsionet tona, nga toka, ajri apo deti”, tha ai.

Konflikti në Libi nisi më 2011, pas një revolte të armatosur që çoi në rrëzimin nga pushteti të Moamer Gaddafit.

Në Libi aktualisht janë dy qeveri: ajo që mbështetet nga OKB-ja e që është me seli në Tripoli dhe që udhëhiqet nga Fayez Serraj dhe qeveria tjetër që udhëhiqet nga komandanti Khalifa Haftar me seli në Tobruk./Rel