Erdogan në Uashington
Erdogan pritet të takohet me presidentin e SHBA-ve
Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan mbrëmë arriti në Uashington, ku sot është paraparë të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump lajmëroi DPA.
Erdogan u prit nga një grup njerëzish, të cilët valëvitnin flamurin turk dhe brohoritnin emrin e tij në një tubim të vogël në afërsi të Shtëpisë së Bardhë. Tubimi, në të cilin morën pjesë rreth 50 persona, ishte organizuar nga Komiteti nacional turko-amerikan.
“SHBA-ja tani duhet të ketë besim në Turqinë”, deklaroi 42-vjeçari Nevzat Tunxhel, i cili jeton në Bruklin.
“Turqia është aleate e SHBA-së dhe NATO-s, por mbështetja amerikane e Forcave për mbrojtje të popullit të kurdëve sirianë është problem serioz për Turqinë, sepse ata dhe partia punëtore kurde (PKK), janë një grupacion e njëjtë. Kur u jep armë Forcave për mbrojtje të popullit, gjysma e tyre shkojnë tek PKK-ja”, deklaroi Tunxhel në tubimin e ithtarëve të Erdoganit.
Trump javën e kaluar dha leje për armatim të Forcave për mbrojtje të popullit në Siri në luftën kundër SHI-së. Ankaraja e konsideron këtë organizatë si grupacion terrorist, i lidhur me kryengritësit kurdë.
Për sot në Uashington është paralajmëruar edhe tubim i kundërshtarëve të Erdoganit./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?