Erëra të fuqishme po shkaktojnë dëme në Pejë

Erëra të fuqishme po vazhdojnë të shkaktojnë dëme materiale në Pejë.
Drejtori i Emergjencave në Komunën e Pejës, Muhamet Mahmutaj për portalin rtv21.tv konfirmoi se në këtë qytet ka erëra të fuqishme që nga mëngjesi dhe situata është alarmante pasi që këto erëra po ndikojnë edhe në përhapjen e zjarreve.
Mahmutaj tregoi se dje dhe sot prapë janë aktivizuar vatrat e zjarreve të cilat ishin lokalizuar dhe po vazhdojnë të përhapen si pasojë e erës. Ai shtoi se po kanë vështirësi në menaxhimin e situatës për shkak të kapaciteteve të kufizuara të mjeteve dhe zjarrfikësve.
Në disa pamje të publikuara në mediat lokale, shihet se disa drunjë janë rrëzuar.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve vendi ynë do të përballet nga erërat e forta me shpejtësi 25-65 km/h.
Agjencia botërore meteorologjike “Severe Weather” ka lëshuar një paralajmërim me rrezik të lartë për shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor për shkak të stuhisë.
Zonat me rrezik të lartë, të cilat mund të goditen sot dhe nesër (5 dhe 6 gusht), janë: Kroacia Veriore, BeH-ja Veriore, Serbia Jugperëndimore, Kosova, Mali i Zi, Shqipëria dhe veriperëndimi i Maqedonisë Veriore.
Këto zona kërcënohen nga erërat e forta që mund të shkaktojnë dëme, breshër, reshje të mëdha shiu e madje edhe tornado./21Media

Back to top button