Escobar: Pyetja është se a do të bëhet Asociacioni me këtë qeveri apo me një të ardhshme

(Lajm i përditësuar)


Escobar: Pyetja është se a do të bëhet Asociacioni me këtë qeveri apo me një të ardhshme

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, aludoi se do të ketë një qeveri të ardhshme në Kosovë, duke folur për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, tha Escobar, në një diskutim me gazetarët në Beograd.

I pyetur nëse ka ndonjë përgjigje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me propozimin evropian për shtensionimin e situatës në veri, Escobar tha se diskutimet mes Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të vazhdojnë edhe pas largimit të këtij të fundit sot nga Beogradi.

“Nuk e di nëse ka pasur ndonjë përgjigje konkrete nga Qeveria e Kosovës. Shpresoj se Qeveria e Kosovës e kupton se ajo që ne po përpiqemi të arrijmë, është një rezultat i qëndrueshëm dhe reciprokisht i dobishëm për të dyja vendet”, tha Escobar.

Ai theksoi se partneriteti i SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar me Kosovën “është i hapur”.

“Por, nëse Qeveria e Kosovës merr hapa të njëanshëm dhe largohet nga partneriteti me komunitetin transatlantik, kjo vetvetiu është një pasojë”, deklaroi ai.

Escobar tha se Kosova dhe Serbia duhet t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, sepse “në rast se do t’ia kthenin shpinën atij, do t’ia kthenin shpinën Evropës”.

“Kjo, në vetvete, është një pasojë shumë e rëndë”, ripërsëriti Escobar.

Escobar po ashtu përsëriti se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është “kërkesë ligjore” për Qeverinë e Kosovës.


Escobar: Ne jemi në linjë me Serbinë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se SHBA-ja është në një linjë me Serbinë, sa i përket tentim-bindjes që serbët të dalin për të votuar në katër komunat veriore të Kosovës.

“Sfida më e madhe për Serbinë është t’i bindë serbët që të kthehen në institucionet e Kosovës. Tani kjo është ajo ku unë mendoj se ne jemi në linjë me Serbinë. Ne duhet të sigurohemi se ata që marrin pjesë në zgjedhje dhe serbët që kthehen në institucione, janë të mirëpritur”, tha Escobari për mediat në Beograd, pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq.


Escobar: Kryetarët dhe Policia e Kosovës të largohen nga ndërtesat komunale në veri

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se kryetarët shqiptarë nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale në veri dhe se Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth ndërtesave.

Escobar po ashtu iu tha gazetarëve në Beograd se protestuesit duhet të largohen.

“Kryetarët nuk duhet t’i shfrytëzojnë ndërtesat komunale, Policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth këtyre ndërtesave dhe protestuesit duhet të largohen”, tha Escobar.

“Shpresojmë të ketë zgjedhje të reja dhe ne duam që serbët të marrin pjesë në to pa parakushte”, shtoi ai.


Escobar: Vuçiq më siguroi se do t’i bindë serbët që të marrin pjesë në zgjedhje

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, tha se ky i fundit e siguroi se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për t’i bindur serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet eventuale në veri të Kosovës.

Escobar tha se situata në veri të Kosovës duhet të shtensionohet menjëherë dhe se nuk do që të presë për zgjedhje të reja atje deri në muajin korrik.

Back to top button