Këngëtarja Eli Fara është ndër emrat më të dashur nga publiku shqiptar. Krahas karrierës, artistja së fundmi ka folur edhe për jetën e saj private. Eli Fara në “Tani mund të këndosh” te E Diela Shqiptare ka treguar se si është njohur me ish-bashkëshortin e saj dhe se përse është ndarë nga ai.

Fara ka treguar për vajzën e saj dhe historinë se si është njohur me ish-bashkëshortin kur ishte 17 vjeçare.

“Vajza ka ardhur në jetë kur unë isha shumë e re, isha vetëm 18 vjeç, kështu që kuptohet se jam martuar shumë e re në një situatë jo fort komode. Jo fort komode edhe për ta thënë. Unë isha në shkollën e mesme dhe studioja për kanto dhe merrja pjesë në aktivitete kulturore. Shumë shpesh isha për prova në pallatin e kulturës dhe aty kalonin djem çapkënë korçarë. Njëri prej tyre mu qep keq, nuk shpëtova dot.

Ishte dashuria e parë, ato emocionet e para, ndjenjat që të lindnin për dikë që nuk e di se kush është. Unë u dashurova vetëm duke parë pamjen. Ishte çun simpatik dhe nuk mendoja për të tjerat sepse isha adoleshente, nuk më interesonte se kishte një shkollë, profesion apo çfarë punonte, apo se çfarë bënte në jetë. Unë isha 17 vjeç, shumë shpejt familja e mori vesh që unë po dilja me dikë dhe u bë një shqetësim, tërmet i madh.

Jetonim bashkë të gjithë xhaxhallarët e mi, me dajën, me hallat, ishin shumë familje që rrinin bashkë dhe bëheshin me njëri-tjetrin shumë. Fisi bëri një mbledhje të madhe dhe kujtoj që u ndjeva e fyer dhe e turpëruar sepse ndoshta varet nga karakteri dhe natyra, kisha një krenari të tepruar edhe pse shumë e re dhe vendosa që nëse djali do pranonte, unë do ikja nga shtëpia. Ai u tregua i gatshëm dhe ndodhi. Sigurisht tani që jam pjekur, që kam Marinën, nuk jam krenare për atë që bëra, por janë gabime të një moshe shumë të re.”, ka thënë ajo.

Tutje këngëtarja ka folur për ndarjen. “Erdhi dhe një situatë e tillë që ndodhi ndarja sepse ish-i ishte një nga çunat më çapkën seç duhej në Korçë dhe kishte shokë të vetët. Kjo gjë i çoi në një tragjedi të madhe sepse ishin grupe çunash që konkurronin me njëri-tjetrin kush ishte më i fortë dhe ndodhi që shokun e ngushtë të ish-it e vranë. Pastaj filloi një tjetër stuhi që ishte goxha e madhe për atë kohë hetime, gjyqe mbas gjyqeve që zgjatën shumë.”, është shprehur ajo.

Por, a ia ka treguar artistja historinë vajzës së saj?

“Jo të gjitha, i kam treguar aq sa kam menduar se duhet të dijë. Edhe Marina ka ato kujtimet e veta nga fëmijëria. Gjyqet vazhduan goxha nja 1 vit e gjysmë dhe mbasi u bënë të gjitha përpjekjet dhe për të ulur dënimin, derisa u dha dënimi i fundit dhe e përcaktuan dhe burgun ku do vuante dënimin, atje kam shkuar me vajzën dhe i kam thënë që unë do të bëj ndarjen. Nuk ka pasur ndonjë kundërshtim dhe unë kam parë jetën time. Vazhdoja punën si mësuese në fshat, vajzën e kisha në çerdhe, kisha probleme financiare sepse mora dhe një apartament.”, ka shtuar më tutje artistja.

 

View this post on Instagram

 

@elifaramari ❤️❤️

A post shared by Eli Fara (@elifaramari) on