Ambasadori i Italisë në Kosovë tha se Kosova është vetëm dy hapa larg liberalizimit të vizave

Ambasadori i Italisë në Kosovë tha se Kosova është vetëm dy hapa larg liberalizimit të vizave

Kosova gjatë dhjetë viteve pavarësi ka bërë shumë progres, por duhet një angazhim edhe më i madh për t’i arritur standardet evropiane të kërkuara për tu anëtarësuar në BE dhe NATO, derisa jeni vetëm dy hapa larg liberalizimit.

Kështu pohoi ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi në një intervistë për KP, me ç’rast foli për të arriturat e shtetit të ri, në dekadën e parë të pavarësisë.

“Dhjetë vite pavarësi për një vend të ri siç është Kosova nuk janë shumë dhe duhet të festohet ashtu siç aktualisht po festohet. Natyrisht Kosova në këto dhjetë vite ka bërë shumë progres, mirëpo përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, duhet të angazhohen edhe me shumë për t’i arritur standardet evropiane të kërkuara”, tha ai.

Ndërsa, u shpreh se Kosova ka bërë hapa para dhe sa i përket zhvillimit ekonomik, por është në duar të institucioneve të saj, mqë të bëjnë dhe më shumë sa i përket zhvillimit të ekonomisë, pasi që tashmë Kosova  ka nënshkruar edhe  MSA-në.

Sardi tha se politikanëve u kërkohet që t’i zbatojnë obligimet që i kanë marrë dhe që dalin nga marrëveshjet me BE-në, që i ndihmon në përafrimin me BE dhe me integrimin euroatlantik.

Sipas tij, Italia e ka mbështetur Kosovën gjithmonë para dhe pas pavarësisë së saj dhe do të vazhdojë ta mbështes atë. Sardi më tutje pohon se  do t’i përkrahin  liderët vendor që t’i plotësojnë kriteret që dalin qoftë në zhvillimin ekonomik, social, institucional e sidomos në rend dhe ligj.

Ai më tutje shtoi se Kosova është vetëm dy hapa larg liberalizimit të vizave. Ndërsa pohon se deklarata e arritur mes presidentit të Malit të Zi dhe atij të Kosovës, për ratifikimin e demarkacionit, është një hap i rëndësishëm drejtë liberalizimit të vizave.

Ambasadori italian foli edhe për nismën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, duke pohuar se kjo iniciativë nuk duhet çuar përpara pasi aktivizimi i dhomave të specializuara është i rëndësishëm për rendin dhe ligjin në Kosovë, derisa tha se Italia do ta mbështes perspektiven euroatlantike të Kosovës.

“Si përfaqësues i një vendi që gjithmonë e ka mbështetur Kosovën, një vendi që është një ndër vendet themeluese të BE-së dhe NATO-s, i dëshirojmë Kosovës integrim në BE dhe në NATO, iu urojmë sukses në këtë drejtim sepse këto do të jenë një hap më përpara në integrimin e plotë të  Kosovës në BE. Para disa ditësh KE e ka prezantuar strategjinë për zgjerimin e BE,  ku paraqiten disa pika kryesore që duhet të përmbushen dhe janë shumë të rëndësishme, për Kosovën dhe gjithë Ballkanin. Është një proces i gjatë, i cili kërkon angazhim të madh nga ana e Kosovës.  Ne si Itali e mbështesim perspektiven euroatlantike të Kosovës dhe iu inkurajojmë që t’i përmbushni sa më shpejtë këto synime, në mënyrë që perspektiva evropiane e Kosovës, të realizohet përfundimisht. Intervistën e kisha përmbyll me urimin për ditëlindjen e Kosovës, dhjetë vjet pavarësi. Keni rrugë, keni marrë angazhime përpara. Ne do të iu mbështesim por dhe ju duhet të angazhoheni. është e rëndësishme që ti përmbaheni angazhimeve që keni marrë përsipër. Ne do tu mbështesim”, tha ai.