Një tjetër pjesë nga Bazilika e Linit në Pogradec është ekspozuar. Kjo pjesë e mozaikut, e cila daton në shek IV-V kohës së sundimit të perandorit romak Justinianit do të qëndrojë e ekspozuar deri në fund të shtatorit dhe mund të vizitohet nga vizitorët në mënyrë që të njihen nga afër me vlerat e rralla të kësaj bazilike.

Ndërkohë ,që Drejtori i DRTK Korçë, Gjergji Koki ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen kjo bazilikë të mund të ekspozohet e gjitha.

Punimet restauruese drejtohen nga profesori i mirënjohur Agron Islami, ndërkohë që, këto punime janë ndjekur nga afër edhe nga kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli.

”Kemi nefin qëndror, kemi dy nefet anësore që kanë formën e harkut. Ky quhet parasforë dhe janë dy ambiente ndihmëse të bazilikës, pastaj kemi dhe oborrin e brendshëm.”, tha profesori Agron Islami.

Pas Pastoforit, e cila ishte zbuluar 3 vjet më parë për vizitorët, zbulimi dhe ekspozimi tashmë i Nartexit të pritet të rritë edhe më tepër kureshtjen e vizitorëve vendas apo të huaj.

”Deri në fund të muajit shtator të gjithë tursitët të cilët vizitojnë këtë rajon, do kenë mundësi të shohin pjesë të zbuluara për herë të parë të mozaikut e Linit.”, tha Gjergji Koki.

Mozaikët e bazilikës paleokristiane të Linit përbëhen nga motive që përfshijnë jo vetëm elemente të përdorura edhe në bazilikat e tjera si: “euharistia” (zogj që çukisin rrushin), motive me gërsheta, skena nga bota ujore, bimore dhe ajo shtazore, zvastika (kryqi i thyer) dhe lulet por edhe motive që gjenden shumë rrallë.

Ndërkohë që, zona përreth ofron një pamje unike të bregliqenit apo edhe fshatit Lin. Së shpejti në këtë fshat që është pjesë e 100 fshatrave turistike do të nisë një investim prej 10 milionë eurosh me fonde nga KFE gjermane që synon investime në infrastrukturë, kanalizime, rikonstruksion banesash dhe ndërtimin e një pasarele ujore përgjatë bregut./oranews