EULEX-i për RTV21: Gjendja e sigurisë në veri të Kosovës është ende e brishtë

Vakumi i sigurisë i krijuar pas dorëheqjeve të policëve serbë të Kosovës vazhdon të ekzistojë dhe gjendja e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës është ende e brishtë, kështu ka thënë EULEX-i në një përgjigje elektronike për RTV21.
Megjithatë, EULEX ka thënë se vazhdon  të jetë vigjilentë dhe është duke i monitoruar nga afër të gjitha zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e Kosovës, si dhe në sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
Tutje EULEX ka përsëritur se nuk është përgjegjës kryesor për sigurinë në veri të Kosovës.
“Jo, EULEX-i nuk është përgjegjësi kryesor. Sipas mekanizmit të përgjegjësve të sigurisë të Kosovës, Policia e Kosovës është përgjegjësi i parë, EULEX-i përgjegjësi i dytë dhe KFOR-i i treti. EULEX-i nuk e ka zëvendësuar dhe nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës. EULEX-i mundet vetëm pjesërisht ta plotësojë vakumin ekzistues të sigurisë përmes shtimit të konsiderueshëm të patrullimeve vëzhguese, duke përfshirë edhe patrullimet në këmbë. Si përgjegjës i dytë i sigurisë, EULEX-i ka bashkërendim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Në atë kohë, mosarritja e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel lidhur me çështjen e targave, e bën situatën e sigurisë në veri të Kosovës shumë më të ndjeshme.
578 zyrtarë policorë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës kishin dhënë dorëheqje.21Media

Back to top button