Tendenca e vazhdueshme e më pak seancave joproduktive, praktika e rigjykimi të rasteve, mbështetje e tepërt në paraburgimin si masë sigurie, janë vetëm disa nga të gjeturat e përfshira në raportin e katërt të EULEX-it të publikuar sot me titull ‘Monitorimi në drejtësi nga misioni i BE-së për sundim të ligjit – gjetjet dhe rekomandimet shtator 2019 – mesi i muajit mars 2020’.

Në këtë takim, i cili SOT u mbajt në selinë e EULEX-it në Prishtinë, të pranishëm ishin krerët më të lartë të sistemit të drejtësisë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile për sundim të ligjit, organizata ndërkombëtare aktive në fushën e drejtësisë

Shefi i Misionit të EULEX-it, Lars-Gunnar Wigemark tha se gjetjet e këtij raporti do të ndikojnë në krijimin e një sistemi më të mirë të drejtësisë në Kosovë. Sipas tij, përmes respektimit të rekomandimeve që dalin nga vetë raporti ndërtohet rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Kjo i jep një debat se si të përmirësojmë sundimin e ligjit në Kosovë dhe qëllimi i kësaj është të rrisim transparencën për atë se çfarë bëjmë në Kosovë si mision i sundimit të ligjit të BE-së dhe çfarë do të bëjmë në fushat kritike që të përmirësojmë gjykatat lokale dhe mendoj se duke ndarë këtë raport me ju për publikun e gjerë me të gjitha këto të gjetura në këtë raport do të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë për të bërë gjykata dhe drejtësinë në Kosovë më të mirë dhe më efikase. Ne e kemi kuptuar se sa në mënyrë fundamentale operojnë dhe do t’i ndihmojë gjithashtu edhe për të ndërtuar një rrugë të Kosovës drejt BE-së”, tha Wigemark.

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se përmes rishikimi Funksional i Sundimit të Ligjit dhe procesi i llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun, Kosova nga reflektimi, po kalon në etapën e implementimit dhe se nuk do të rri duarkryq përballë segmenteve që cenojnë sistemin e drejtësisë.

Ai tha se përkundër sfidave, Kosova ka bërë progres substancial në një numër të konsiderueshëm të të arriturave dhe standardeve në gjyqësor dhe po ecën me hapa të sigurt drejt konsolidimit të sistemit të drejtësisë. Të gjeturat e këtij raporti, ministri Selimi tha se duhet të shërbejnë si udhërrëfyes në përpjekjet për fuqizimin e sundimit të ligjit.

Udhëheqësi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e raportit. Sipas raportit, në sistemin gjyqësor ka tendenca vazhdueshme e më pak seanca joproduktive. Sipas raportit shumë gjykime kthehen për rigjykim dhe ka mbështetje të tepërt në paraburgimin si masë sigurie, shpesh pa arsyetim të mjaftueshëm.

Nga ky raport EULEX-i rekomandon që bashkëpunimi midis policisë dhe prokurorisë të përmirësohet në rastet kundër korrupsionit dhe dhunës në baza gjinore.

“Kemi pasur një trend në vazhdimësi të seancave dëgjimore jo produktive dhe nuk ka pasur ndonjë që dëgjimet kanë qenë jo produktive dhe i kanë prolonguar procedurat që mendoj se këto shkelin të drejtën elementare të të drejtave të njeriut për një gjykim të mirë dhe në kohë të rregullt. Sa i përket raportit kemi pasur 23 për qind të raporteve kanë qenë jo produktive, kurse 26 për qind kanë qenë raporte të periudhës kohore të njëjtë. Ne i kemi adresuar me kohë janë bërë disa përparime ku kemi gjetur në rastet e profilit të lartë, ku kemi pasur që nuk kemi parë ndonjë aktivitet sa i përket kësaj dhe mund të them se këto ankimesa kanë qenë jo produktive. Sa i përket rasteve të Prishtinës, mund të themi se kemi pasur efekt pozitiv sa i përket eficiencës së gjykatave që mos t’i përdorin të njëjtit gjykatës. Kështu ka thënë edhe EULEX në rekomandime e tij, për këtë arsye duhet të rritet edhe numri I gjykatësve dhe kemi identifikuar dhe kemi parë se masat mbrojtëse duhet një nevojë, një prodhim i ri për masat mbrojtëse të dëshmitarëve dhe kjo mendoj se ka qenë një moment i duhur për ta bërë një gjë të tillë. Sa i përket rigjykimit, kemi kuptuar se Gjykata e Apelit ka dërguar shumë raste prapa te gjykata e qarkut për t’i rigjykuar dhe në disa raste kanë dërguar edhe në rigjykim të dy-trefishtë dhe mendoj se kjo ka treguar se nuk kemi një gjykim të drejtë të viktimës ose drejtësi të viktimës. Sa i përket rasteve të korrupsionit kjo është relevante, sepse është një prej rasteve të monitoruara më së shumti dhe kemi parë një bashkëpunim të dobët në mes të policisë dhe prokurorisë“, tha Koster.

Institucionet kryesore të sistemit të drejtësisë u pajtuan me të gjeturat e këtij raporti, dhe u zotuan se rekomandimet e dala nga ky raport do të respektohen.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj tha se ky raport kontribuon në përmirësimin dhe avancimin e gjyqësorit në përgjithësi. Ai një brengë të madhe për sistemin gjyqësor e ka vlerësuar rigjykimin e shpeshtë të rasteve.

E Bahri Hyseni, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, ka thënë të gjeturat nga raporti do të adresohet në secili segment kompetent.

“Sistemi Prokurorial i Kosovës ka qenë i angazhuar të avancojë sistemin duke ngritur llogaridhënien, integritetin, profesionalizmin me qëllim që gjithë qytetarët e vendit të jenë nën nivelin çfarë duhet të jetë. Tani, pas një kohe të gjatë sirtarët tanë nuk janë më të mbushur me lëndë, por secila lëndë trajtohet brenda një afati ligjor të përcaktuar siç e kërkon Kodi Penal dhe ai i Procedurës Penale. Nga fillimi jemi bërë pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim krejt me objektiva të qarta që bashkërisht ta krijojmë një sistem, ku këto reforma do të ndikonin pozitivisht në sundimin e ligjit për qytetarët”, tha Hyseni.

Raporti bën të ditur se autoritetet kosovare kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndjekur penalisht qytetarët e kthyer nga konfliktet e armatosura në Siri dhe Irak. Përmes monitorimit, EULEX ka vërejtur si të tepruar masën e sigurisë së paraburgimit.

Sa i takon konfiskimit dhe konfiskimit të përkohshëm të pasurisë, në raport bëhet e ditur se shuma e parave të konfiskuara është më e ulët, se shuma e pasurive të konfiskuara përkohësisht. Në aspektin pozitiv është vërejtur se prokuroria shpesh përdorë konfiskim të përkohshme të pasurisë, etj.

Për përgatitjen e këtij raporti, i cili mbulon periudhën shtator 2019 deri në mars 2020, personeli i EULEX-it i ka monitoruar 107 raste dhe ka marrë pjesë në 312 seanca.