Facebook ka bërë të ditur se do të heq postimet që përmbajnë pretendime të rreme për vaksinën kundër COVID-19.

Këto masa merren në kuadër të përpjekjeve të kësaj kompanie për të luftuar dezinformimin në platformën e saj. Gjigandi i mediave sociale, rregullisht heq informacione të pasakta dhe potencialisht të dëmshme në lidhje me virusin, dhe që nga tetori ka ndaluar reklamat që dekurajojnë njerëzit të marrin vaksinën, përmes së cilës synohet t’i jepet fund pandemisë.

“Kjo mund të përfshijë pretendime të rreme në lidhje me sigurinë, efikasitetin, përbërësit ose efektet anësore të vaksinave”, duke përfshirë “pretendimet e rreme se vaksinat COVID-19 përmbajnë mikroçipa, ose ndonjë gjë tjetër që nuk është në listën zyrtare të përbërësve të vaksinave” si dhe “teori konspirative” që janë dëshmuar si të rreme, ka bërë të ditur Facebook.