Familja e veprimtarit Remzi Hoxha, zyrtarisht ka hequr dorë nga kërkimet për eshtrat e tij, 25 vjet pas zhdukjes së tij në Shqipëri. Këtë e ka bërë të ditur i biri, Ardian Hoxha, i cili tha se familja ka humbur të gjitha shpresat dhe besimin në institucionet e drejtësisë, dhe politikanët në Shqipëri në zbardhjen e këtij rasti. Vitin e ardhshëm, familja do t’i bëjë një varr dhe një memorial Remzi Hoxhës dhe do të vazhdojnë me realizimin e një dokumentari rreth veprimtarisë së tij.

Duke kujtuar 25 vjet vuajtje, duke mos pasur një varr me shtrat e të atit, Ardian Hoxha tha se kanë arritur në një pikë ku duhet t’i prenë gjerat dhe të vazhdojnë vetëm me zbardhjen e veprimtarisë së Remzi Hoxhës.

Duke e bërë zemrën gur duhet ta bëjmë këtë sepse kaluan 25 vite dhe nuk e di askush hedhe sa vite do të kalojnë, edhe sa dekada do të kalojnë dhe do të mbetemi pa varr. Duke u marrë që 25 vite me gjetjen e eshtrave të babait tim ne nuk kemi mbërri që t’i tregojmë botës për të gjitha ato punë, veprimtari që e kishte bërë babi im për këtë Kosovë, për gjendjen e shqiptarëve në përgjithësi, dhe mendoj që i kemi hy në hak edhe babës në këtë aspekt, kështu që është vendim që në përvjetorin e radhës të i’a bëjmë një varr dhe një memorial e ndërkohë të ja bëjmë edhe një dokumentar për veprën e tij, për veprimtarinë e tij dhe të gjitha kontributet që e i kanë dhënë për çlirimin e Kosovës dhe këtë liri që po e gëzojmë tash“, tha ai.

Sipas Hoxhës, megjithë përpjekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha që këtë çështje ta paraqes politike, familja asnjëherë nuk e kanë pasur një qëllim të tillë.

Sado që janë mundu në Shqipëri ta bëjnë këtë temë politike, e theksoj se asnjëherë nuk ka qenë qëllimi ynë që të bëhet temë politike, fakt është që Berisha kishte dhënë urdhër të arrestohet, por të bëhet me një mision sekret pa e ditë i gjithë SHIK-u dhe për fat të keq, nga torturat që ja bënë, pa dashje i ka mbetë në dorë dhe ka ndërruar jetë, do të thotë pa dashje, pastaj nga paniku janë munduar ta fshehin, janë munduar ta mohojnë që kanë ditë diçka për këtë, dhe na kanë vështirësuar gjetjen”, tha ai.

Hoxha theksoi se asnjëherë nuk kanë kërkuar që kryesit e kësaj vepre të dënohen, por vetëm t’i kenë eshtrat e tij. Ardian Hoxha ka dhënë detaje edhe rreth zhdukjes së Remzi Hoxhës.

Janë përpjekur të na qojnë në kahje të ndryshme, kanë dhënë konotacione dhe orientime të ndryshme për zhdukjen e tij, por e vërteta është vetëm një dhe pas 17 vitesh përpjekje angazhim, maltretime, psikike emocionale, sorollatje në zyret e të gjitha institucioneve, përfundimisht u dashtë 17 vite që Gjykata e Krimeve të Rënda, në Shqipëri, të vërtetojë që kryesit e këtij krimi, personat që e rrëmbyen babin tim ishin nëntë persona të SHIK-ut të asaj kohe që udhëhiqej nga Bashkim Nezidedaj, e që ishte nën urdhrat e Sali Berishës. Personat e implikuar janë të gjithë të cekur me emër dhe mbiemër në vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, tha Hoxha në konferencë për media.

Por, dorë nga kërkimi i Remzi Hoxhës nuk kanë hequr edhe vëllezërit e të njërit.

Nexhmedin Hoxha tha se kërkon nga Shqipëria, por edhe Kosova që të zbardhin këtë rast.

Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e Remzi Hoxhës.

Më 21 tetor 1995 ai është rrëmbyer në vendin e tij të punës në Shqipëri./KP