Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani sot reagoi lidhur me transmetimin e një aktiviteti partiak të PDK-së në Podujevë nga faqja zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Osmani u shpreh se kjo përbën shkelje të autorizimeve zyrtare të personave përgjegjës që mirëmbajnë faqen zyrtare të Kuvendit në Facebook.

“Kam kërkuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të ndërmerren masa urgjente ndaj kujtdo që ka keqpërdorur autorizimet zyrtare dhe kanë dëmtuar rëndë imazhin e institucioni të Kuvendit.​”, u shpreh Osmani.

Ndërsa, pas reagimit të Osmanit, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Ismet Krasniqi ndërmori tri masa.

“1. Iniciohet procedurë disiplinore për Menaxherin e Kontratës.

2. Nga sot, datë 27 nëntor 2020, pezullohet kontrata e shfrytëzimit të shërbimeve nga operatori “Ekonomia Online”.

3. Iniciohet kërkesa për kompensimin e dëmit të shkaktuar lidhur me integritetin institucional dhe imazhit të Kuvendit.”, informoi Kuvendi përmes komunikatës./21Media