Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi është shprehur kritik ndaj qeverisë Hoti për shpërfillje të interesave të shqiptarëve në komunat veriore të Kosovës. Selimi në seancën parlamentare ku po debatohet për problemet e banorëve shqiptarë në atë zonë tha se fatin e tyre ekzekutivit ia ka lënë në duar Listës Serbe për të treguar çka kanë bërë për shqiptarët atje.

Selimi nga foltorja e Kuvendit tha se e gjithë situata e krijuar me dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve në atë pjesë, dhe pretendimi për formimin e “Zajednicës” kanë për qëllim spastrimin etnik kandër shqiptarëve dhe kolonizimi i tyre me serb të ardhur përtej Kosovës.

“Fatin e shqiptarëve në komunat veriore ia keni lanë në duar të Listës Serbe dhe na tregon se çka ka bërë për shqiptarët atje. Qe ku i keni lënë shqiptarët, në veri të Kosovës po vazhdon ende dhuna dhe përndjekja e shqiptarëve nga shtëpitë e tyre. Ata që u përzunë nuk lejohen të kthehen në pronat e tyre. Atje në mënyrë sistematike po vazhdon projekti i ndryshimit demokrafik me anë të spastrimit etnik të shqiptarëve dhe me anë të kolonizimit me kolonë të ardhur nga Serbia. Serbia gjithmonë ka qenë e njëjtë për Kosovën, e ka rritur territorin e vet me toka tona. Kështu po mundohet të bëj edhe tash”, tha ai.

Selimi tha Serbia përmes ndërtimit në Luginën e Diellit po tenton të ndryshojë demografinë.

“Sot kur ndërtohen lagje kolonësh në luginën e diellit, e gjetiu sikur dikur ndërtonte Milliosheviqi në Junik, sot kur po ndërtohet ndërtesa e banesat e kolektiv për të ndryshuar demografinë, sot kur asnjë shtëpi e djegur e shqiptarëve nuk mund t’i vihet kulmi, kësaj nuk kemi si të themi ndryshe përveç spastrim etnik… gjithë situata e krijuar me dëbimin e dhunshëm dhe kuadër të njëjtin qëllim me formimin e ‘Zajednicës’ kanë për qëllim spastrimin etnik kandër shqiptarëve nga vendbanimet e tyre dhe kolonializmin e tyre me kolonë të ardhur nga përtej Kosovës”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, shefi i grupit parlamentar të LVV-së pyeti se ku janë serbët që kanë vrarë në Pejë, Prishtinë e Gjakovë.

“Meqenëse kolegët serb në këtë Kuvend pyeten ku janë serbët që kanë qenë në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, po edhe unë po pyes ku janë ata serb që vranë në Pejë, Prishtinë e Gjakovë. Serbi ,apo janë pjesë e strukturave paralele në veri”, tha ai.