Filmi i metrazhit të gjatë artistik, “Cirku Fluturues” me skenar dhe regji të Fatos Berishës ka triumfuar edhe në festivalin “War on Screen” në Francë, kështu duke u shpërblyer me çmimin kryesor.

Regjisori Fatos Berisha për emisionin “Bon Bon” në RTV21 tha se nuk e di numrin se sa çmime ka fituar me “Cirkun Fluturues” duke u shprehur se është mjaf i kënaqur me arritjet e këtij filmi.

Berisha tutje tha se arma e “Cirkut Fluturues” është se lufta në film nuk shihet, pra nuk shkrepet asnjë armë, por ai shtoi se lufta vërehet rreth personazheve kryesor, shkruan rtv21.tv.

Ky film artistik është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të vitieve 90-ta e një grupi aktorësh nga Kosova, të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërise për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

Filmi “Cirku Fluturues” do të shfaqet më 11 tetor në Tiranë, ndërsa më 14 në Tetovë./21Media