Eksperti i lartë i sëmundjeve infektive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony Fauci ka paralajmëruar se udhëtimet për pushime mund ta shtyjnë vendin në një “pikë kritike” në pandeminë e koronavirusit dhe se më e keqja ende nuk ka ndodhur.

“Unë ndaj shqetësimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden se ndërsa hyjmë në javët e ardhshme, mund të përkeqësohet situata në të vërtetë”, tha Dr Anthony Fauci.

Biden, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, paralajmëroi të mërkurën se “ditët më të errëta të kombit janë përpara nesh – jo prapa nesh”.

Në javët e fundit, ka pasur një rritje të rasteve Covid-19, shtrime në spital dhe vdekje në të gjithë vendin, transmeton rtv21.tv.

SHBA ka regjistruar një mesatare prej 185,903 infeksionesh të reja gjatë shtatë ditëve të fundit, ndërsa numri i njerëzve në spital me sëmundje arriti në 117,344.

Të dielën, numri i rasteve të regjistruara në SHBA arriti në 19 milionë dhe numri i të vdekurve nga Covid-19 kapërceu 332,000./21Media