Byroja Federale e Hetimit e Shteteve të Bashkuara (FBI) po heton një ndërhyrje masive që ndodhi të mërkurën në Twitter, kur u keqpërdorën llogaritë e personazheve publike për të vjedhur rreth 100 mijë dollarë në Bitcoin.

“FBI-ja po heton incidentin e 15 korrikut 2020 me disa llogari në Twitter që u përkasin individëve të profilit të lartë. Deri më tani, llogaritë duket se janë komprometuar për qëllime mashtrimi me kripto-monedha”, tha në një deklaratë departamenti i FBI-së në San Françisko.

Guvernatori i New York-ut, Andrew Cuomo, tha në një deklaratë të enjten se Departamenti i Shërbimeve Financiare i këtij shteti do të zhvillojë gjithashtu një “hetim të plotë për këtë ndërhyrje masive”. Të mërkurën, hakerat sulmuan llogaritë e personave të famshëm dhe politikanëve, përfshirë Jeff Bezos, Joe Biden, Kim Kardashian dhe Barack Obama, me mesazhe në Twitter që premtuan tu dërgojnë përdoruesve dyfishin e parave që ata paguan në një adresë anonime Bitcoin. Hakerat morën mbi 100’000 dollarë në kripto-monedha gjatë këtij sulmi, sipas të dhënave publike të Bitcoin-it.

Twitter e quajti ndërhyrjen një sulm të koordinuar të hakerëve që “sulmuan me sukses disa prej punonjësve tanë me qasje në sisteme dhe mjete të brendshme”. Një përjashtim i dukshëm nga sulmi ishte Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, llogaritë e verifikuara personale dhe presidenciale të të cilit nuk u ndikuan të mërkurën, konfirmoi në një konferencë shtypi të enjten Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany. Ajo tha se Presidenti Trump do të qëndrojë në Twitter pavarësisht sulmit.