Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) më 7 korrik ka marrë disa vendime për edicionin e ri.

Paraqitja e klubeve për regjistrim për edicionin e ri të garave 2020-2021 të bëhet në datat prej 01.08.2020 deri më 20.08.2020, derisa afati kalimtar për basketbollistë/e do të jetë nga 10 gushti deri më 7 shtator 2020.

Bordi i FBK-së gjithashtu ka marrë edhe disa vendime tjera të rëndësishme:

– Aprovimi i Propozicioneve të Garave për ligat seniore në të dyja konkurrencat: 28.08.2020;

– Aprovimi i Kalendarit të Garave për ligat seniore në të dyja konkurrencat: 28.08.2020;

– Zhvillimi i ndeshjeve të play-out-it (Superliga e Kosovës dhe Liga e Parë e Meshkujve): 02-05.09. 2020;

Theksim: Ndeshjet e Play Out-it do të zhvillohen sipas Propozicioneve të Garave 2019-2020, sistemin e Garave 2019-2020 dhe për shkak të situatës së re të krijuar me shfaqjen e pandemisë COVID-19 me rosterin e lojtarëve nga edicioni i ri 2020-2021.

– Hedhja e shortit të të gjitha ligave seniore në të dyja konkurrencat: 06.09.2020;

– Organizimi i FIBA SCOD Klinika para-sezonale (testimet nga njohja e rregullave të basketbollit dhe FIBA Fitnes testi) më së largu më 30.08. 2020 dhe ritestimi eventual më 06.09.2020;

– Aprovimi i listës së gjyqtarëve për edicionin e ri nga Bordi i FBK-së më 07.09.2020;

– Organizimi i Superkupës së Kosovës në të dyja konkurrencat në formë të turneut prej 16 deri më 20.09.2020;

– Fillimi i edicionit të ri (2020/21) në Superligën e Kosovës më 23/24.09.2020.