Pas zbehjes së pandemisë dhe lehtësimeve të bëra, madje edhe lejimit të rifillimit të futbollit, Federata e Auto Sportit e Kosovës, kërkon që të lejohet zhvillimi edhe i garave në automobilizëm, sidomos të atyre në të cilat mundësia e përhapjes së virusit është fare e vogël, meqë garat do të zhvilloheshin pa shikues.

Për këtë arsye, FASK ka mbajtur një mbledhje, ku ka analizuar situatën në të cilën gjendemi dhe ka miratuar ndryshimet në kalendarin e garave si dhe ka vendosur që te kërkohet leje për organizimin e garave.

“Gjatë muajit qershor planifikohen të mbahen garat si në vijim: 13-14/06/2020, Disiplina: Drag, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë, 21.06.2020, Disiplina: Auto Slalom, Vendi: Pista e vjetër e Aeroportit – Sllatinë, 26 – 28.06.2020, Disiplina Malore, Vendi: Kullë/Pejë. Duke u mbështetur në infrastrukturën sportive që e kemi në dispozicion dhe natyrën e sportit tonë, ku mund të ndërmerren të gjitha masat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kundër përhapjes së pandemisë Covid 19, FASK ka bërë kërkesë në Institucionet e Republikës së Kosovës për lejimin e organizimit të aktiviteteve sportive. Posa të marrim një përgjigje nga institucionet përkatëse, ne do t’ju mbajmë të informuar”, thuhet në njoftim.