Federatat i gëzohen liberalizimit: Shpëtojmë mijëra euro

Liberalizimi i vizave do të krijojë lehtësira të mëdha edhe për sportistët dhe federatat sportive në Kosovë.

Angazhimet në garat ndërkombëtare krijonin shpenzime të mëdha për federatat për shkak të obligimit për t’u pajisur me viza, kosto e cila ka shkuar deri në dhjetëra mijëra euro.

Sekretari i Federatës së Karatesë, Nazmi Gashi ka thënë se heqja e vizave lehtëson barrën financiare të federatës pasi që një pjesë e madhe e buxhetit duhet të shpenzohej pikërisht për pajisjen me viza.

Ndërsa, Sekretari i Federatës së Hendbollit, Izet Gjinovci ka thënë se kjo federata shpenzonte rreth 40 mijë euro në vit vetëm për pajisjen e sportistëve me viza.

Shpenzimet e tilla preknin fuqishëm edhe Federatën e Volejbollit. Në çdo garë ndërkombëtare që volejbollistët merrnin pjesë, FVK duhej të shpenzonte mbi 15 mijë euro në vit.

Karateisti, Elhami Shabani ka thënë se në shumë raste shpenzimet për viza i ka paguar vet dhe se kjo ishte një maltretim i madh për të.

Edhe Kushtrim Krasniqi, nga Komiteti Olimpik i Kosovës ka thënë se pajisja me viza i penalizonte tej mase federatat dhe sportistët në aspektin financiar.

“Përveç kohës që na është marrë për ta kompletuar dokumentacionet e shumta që është dashur vazhdimisht t’i kemi, na ka marrë kohë edhe na ka penalizuar edhe me shpenzime që është dashur të paguhen për secilin sportist shpenzimet e vizës. Madje, shpeshherë është dashur që të shkojmë edhe në Shkup në mungesë të ambasadës në Kosovë të shkojmë edhe në Shkup apo vende të tjera për të marr dhe aplikuar për vizë, sidomos për ato vende që nuk e njohin Kosovës, por edhe vendeve jashtë Evropës”, u shpreh Krasniqi.

Drejtuesit e federatave kanë thënë se këto mjete tani e tutje do të orientohen në investime dhe përkrahje edhe më të madhe për sportistët e rinj.

Back to top button