Në Tiranën e vitit 1998, të rinjtë që sapo kishin dalë në jetë në një kohë të vështirë, pëlqenin të kalonin kohën te Korpusi i Universitetit të Tiranës. Libri qe një shfaqje e huaj në atë kohë, kur paraja e humbur nëpër skemat piramidale ishte shqetësimi kryesor. Megjithatë, te korpusi, një libër u shfaq papritur krahas diskutimeve për bet 1, bet 2 apo bet 50 të kazinove elektronike, të cilat, në atë kohë, kishin pushtuar qytetin dhe ëndrrën e fitimit të shpejtë të parave. Ky libër ishte “Femrat” nga shkrimtari Charles Bukowski, i përkthyer nga Virgjil Muçi.

Libri flet për shkrimtarin e jetës së batakçinjve dhe pijetarin krenar Henri Çinaski, i cili ka lindur që të mbijetojë. Pas shumë dekadash mbijetese në punë të keq paguara dhe që nuk jepnin asnjë shpresë, pasi shpenzoi paratë e tij me pije dhe gra dhe pasi fjeti si mundi nëpër apartamente të qelbura, Çinaski sheh më në fund veten si poet të famshëm. Tani, në moshën pesëdhjetëvjeçare, ai zbulon papritur jetën prej një njeriu të famshëm, i cili merr pjesë në mbi 300 festa të çmendura në vit dhe bën një jetë seksuale që e rrëzon vetë Kazanovën.

Romani “Femrat” u publikua në vitin 1978 si pasues i romaneve “Post Office” dhe “Factotum”. Ai është një raportim i pa kompromis i jetës së amerikanit të zakonshëm, përplot humor, kurajë dhe ndershmëri të zymtë.

I publikuar në shqip për herë të parë në vitin 1997, ky roman rindezi dëshirën për të lexuar për gjeneratën e të rinjve të atyre viteve, një sipërmarrje jo e paktë kjo në atë kohë kur shqetësimet e shqiptarëve gjendeshin jo tamam te pyetja se çfarë libri ia vlen të lexohet.

Seksi eksplicit i përshkruar në libër ishte një pjesë e tërheqjes së të rinjve të Shqipërisë, por Bukowski nuk është autor që flet thjeshtë për seks. “Femrat” është një roman në të cilin Bukowski flet për jetën e zakonshme, të treguar deri në detajet më intime, një roman në të cilin nuk ndodh asgjë e jashtëzakonshme e pikërisht kjo e bën romanin të jashtëzakonshëm.