Festë Bajrami me Shkurte Fejzën dhe vajzat e saj këtë të diel në “Ftohtë e Nxehtë”

Këtë të diel, në ditën e tretë të Bajramit, emisioni Ftohtë e Nxehtë vjen me një episod të veçantë dhe ndryshe nga zakonisht, duke sjellë një atmosferë më të ngrohtë dhe familjare për publikun.

Në një ambient shtëpie plot emocion, realizuar në villat e Batllava Premium Resort, ky episod i dedikohet festës së Bajramit, ku shikuesit do të kenë mundësi të ndjekin një drekë tradicionale dhe momente autentike familjare.

Të ftuar speciale të këtij edicioni janë ikona e muzikës shqiptare Shkurte Fejza, së bashku me vajzat e saj Gresa Fejza dhe Besiana Fejza, një familje që sjell traditë, dashuri dhe energji pozitive.

Gjatë emisionit nuk do të mungojnë bisedat e sinqerta, të qeshurat dhe interpretimet muzikore, ndërsa publiku do të shijojë momente nga kafja e mëngjesit, dreka tradicionale e Bajramit, çaji, bakllavaja dhe torta festive.

Si gjithmonë, emisioni do të sjellë edhe pyetje pikante, surpriza dhe rrëfime që nuk janë parë më parë nga kjo familje.

Pjesë e këtij episodi do të jetë edhe këngëtarja Qëndresa Demaj, e cila këtë herë vjen më afër publikut dhe në një formë më të veçantë.

Ky episod i mbushur me emocione, muzikë dhe atmosferë festive do të transmetohet këtë të diel në RTV21, nën moderimin e Granit Miftari.

Back to top button