FFK dërgon ankesën në FIFA për aktin e Serbisë në Botërorin “Katar 2022”

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) përmes një komunikate zyrtare ka njoftuar se ka paraqitur ankesë në FIFA për aktin agresiv të Kombëtares së Serbisë, para ndeshjes së mbrëmshme kundër Brazilit.
Në kuadër të Kupës së Botës “Katar 2022”, Serbia mbrëmë u ballafaqua me Brazilin, nga i cili edhe pësoi humbje me rezultat solid 2:0.
Para ndeshjes, në zhveshtore të Serbisë është vendosur një flamur në të cilin shihej harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb, me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”.
“Akte të tilla të shoviniste nuk kanë vend në një ngjarje sportive, e aq më pak brenda objekteve ku zhvillohet ngjarja më e madhe e futbollit botëror, prandaj FFK si anëtare e barabartë me të gjitha anëtaret e tjera të FIFA-s, kërkon nga ky institucion që të ndërmarrë masa sanksionuese ndaj veprimeve që nxisin urrejtje mes popujve dhe janë kundër vlerave njerëzore.
Futbolli si sporti më i popullarizuar në botë përçon vlera bashkimi dhe assesi përçarjeje, ndërsa ky akt agresiv nuk përkon me vlerat e tilla, prandaj edhe duhet të ndëshkohet.
Derisa Evropa e bota po ballafaqohen me një krizë të madhe si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, një kompeticion kaq madhështor siç është Kampionati botëror, duhet të jetë vend i mbizotërimit të thirrjeve për paqe, e jo të përdoret për të nxitur urrejtje mes popujve.
Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, me respektim maksimal të të drejtave të njeriut dhe i pranuar nga shtetet më të fuqishme botërore dhe si e tillë do ta vazhdojë rrugëtimin e saj, pa marrë parasysh provokimet si ky i fundit”, shkruante në komunikatën e FIFA-s.
FFK nuk pranon që ky akt të kalojë në heshtje dhe kërkon fuqishëm nga FIFA që të zbatojë në përpikëri rregullat dhe të ndëshkojë Federatën e Futbollit të Serbisë për këtë veprim agresiv dhe kundër vlerave që i përçon futbolli.

Back to top button