FFK emëron Eroll Salihun drejtor të çështjeve sportive

Me qëllim të zhvillimit më të mirë të futbollit, KE mori vendim për krijimin e Ligës U21.
Ndërkaq, me kërkesën e veçantë të Sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu, KE e liroi nga detyra e Sekretarit të përgjithshëm dhe e emëroi si drejtor për çështje sportive – Këshilltar senior Ligjor, bëhet e ditur nga FFK përmes një postimi në Facebook.
Në mbledhjen e cila u mbajt sot nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së nën drejtimin e presidentit Agim Ademi, u diskutua edhe për përgatitjet për fillimin e Kampionatit të ri 2021/2022 dhe konstatoi se përgatitjet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë.
Tutje, KE shqyrtoi edhe ecurinë e përgatitjes së aftësimit dhe instalimit të sistemit VAR, duke konstatuar se aftësimi i kuadrit dhe instalimi i VAR-it do të fillojë me ndeshjen e Superkupës, ndërmjet Prishtinës dhe Llapit, e cila do të zhvillohet më 17 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe do të vazhdojë me ndeshjet e Superligës.
Ndër të tjera, KE ka falënderuar ekipin e VAR-it për një angazhim të jashtëzakonshëm në mënyrë që sistemi i VAR-it të fillojë me kohë, e ku FFK-ja është e para në rajon që ka arritur me një kohë rekorde të instalojë këtë sistem që është tepër i dobishëm dhe ndihmesë e madhe për gjyqtarët e që kontribuon në mbarëvajtjen garave.
Gjithashtu, Salihu e falënderoi KE dhe presidentin Ademi, duke potencuar se ka shërbyer për 15 vjet si Sekretar i përgjithshëm dhe tash dëshiron t’i kthehet çështjeve profesionale sportive dhe ligjore.
Theksohet se Salihu është anëtar i Komitetit Ligjor të UEFA-s dhe kryetar i Këshillit të Arbitrazhit Sportive në KOK-ut ku do të vazhdojë edhe më tutje./21Media

Back to top button