Dumoshi shprehu përkushtimin e MKRS-së për ta ndihmuar sportin

Dumoshi shprehu përkushtimin e MKRS-së për ta ndihmuar sportin

Presidenti i Federatës së Futbollit e Kosovës, Agim Ademi dhe ministrja në detyrë për Kulturë, Rini e Sport, Vlora Dumoshi e kanë nënshkruar sot memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu.

Ky memorandum parashikon ndihmën financiare për federatat në bazë të programeve të kategorizimit dhe i ndihmon ato për të funksionuar me efikasitet sa më të mirë. Nëpërmjet këtij memorandumi njëvjeçar MKRS-ja kësaj radhe e subvencionon FFK-në me 267 mijë euro.

Ministrja në detyrë Dumoshi gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi e përgëzoi presidentin Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Salihu për punën e bërë nga FFK-ja, teksa shprehu shpresën e tejkalimit sa më të shpejtë të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe rikthimit në normalitet dhe zhvillimit të aktiviteteve të futbollit.

Ajo shprehu përkushtimin e MKRS-së për ta ndihmuar sportin dhe në veçanti futbollin si një segment tejet i rëndësishëm në përfaqësimin e denjë të shtetit në arenën ndërkombëtare.

Ministrja në detyrë po ashtu bëri të ditur se porsa të jetë gati pakoja emergjente prej 5 milionë euro e ndarë nga Qeveria për mbështetje të sektorëve të kulturës, rinisë e sportit për shkak të Coronavirusit Covid-19 do t’i njoftojë federatat dhe do ta shpërndajë atë sa më shpejtë.

Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Ademi e falënderoi ministren në detyrë, Vlora Dumoshi për mbështetjen e vazhdueshme si dhe për hapat e ndërmarrë si institucione shtetërore për t’i dalë në ndihmë sportit në këto rrethana të vështira si pasojë e pandemisë.