FFK shpall “Yllin e javës” në Superligë
“Ylli i Javës” për xhiron e katërt të Superligës së Kosovës i ka takuar futbollistit Arbër Piras, i cili për 90 minuta ishte lojtari më i rëndësishëm i skuadrës së tij. Arbër Pira, ndonëse mbrojtës, shënoi golin e epërsisë për 1:2 për skuadrën e tij dhe asistoi në golin e tretë, i cili vulosi fitoren e FC Malisheva në Klinë me rezultat 1:3. Aktualisht Malisheva ka të arkëtuara 10 pikë dhe ndodhet e dyta në tabelë me një ndeshje më pak.
Pasi mori këtë çmim, Pira u shpreh i lumtur që u vlerësua si më i miri i javës: “Ndeshja me Dukagjinin ka qenë shumë e mirë. Trajneri e ka përgatitur shumë mirë dhe ne e realizuam saktësisht atë që kishim planifikuar. Motivi ka qenë shumë i lartë dhe besoj se karakteri i shumë lojtarëve ka bërë diferencën në një fushë të rënduar që ne të marrim 3 pikë të merituara. Kam shënuar një gol dhe kam bërë një asist. Ka qenë një ndjenjë shumë e mirë të ndihmoj ekipin.
Pretendimet e FC Malisheva janë që të jemi në pjesën e lartë të tabelës dhe nuk kemi pretendime për të dalë kampion. Kemi një ekip shumë të mirë, të përbërë nga lojtarë të rinj shumë të talentuar, mendoj se mund të arrijmë lart me këtë ekip. Është një ndjenjë e mirë të shpallem “Ylli i Javës”, një motiv shtesë për xhirot e ardhshme. Falënderoj stafin teknik dhe bashkëlojtarët, sepse pa ta nuk do të shpallesha më i miri i javës. Uroj që sa më shumë lojtarë të FC Malisheva të shpallen më të mirët e javës.” tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.