Në Kuvendin e Rregullt të Punës u tha se për vitin 2021 Federata e Futbollit të Kosovës synon zgjerimin e kapacitetit të stadiumit “Fadil Vokrri” për 7000 ulëse, implementimin e sistemit VAR në Superligën e Kosovës, si dhe vazhdimin e reformave brenda Federatës së Futbollit të Kosovës.

Në këtë kuven,  i cili u mbajt online, përveç zyrtarëve të FFK-së, morën pjesë edhe zyrtarë të UEFA-s dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Në kuvend u miratua raporti financiar për 2020, ku u paraqitën punët e realizuara gjatë këtij viti si dhe objektivat për 2021. Aty u bë e ditur se fokusi kryesor gjatë vitit 2020, i cili ishte i vështirë për shkak të pandemisë ishte te mbështetja financiare e federatave dhe klubeve, si dhe rinovimi dhe zgjerimi i disa fushave dhe sallave sportive.