Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku të premten kanë marrë pjesë në një takim të organizuar nga FIBA në formë të videokonferencës.

Në këtë takim FIBA-n e kanë përfaqësuar Radmila Turner, përgjegjëse për Federatat Nacionale nga FIBA Europe, Florian Pasquet, përgjegjës për zhvillimin e Federatave Nacionale nga FIBA, Geoff Wilson, ekspert i jashtëm i angazhuar nga FIBA për asistencë Federatave anëtare të FIBA-s në hartimin e planeve strategjike/planeve operacionale dhe Jeongmi Gwak, zyrtare nga FIBA për Federatat Nacionale.

Tema e takimit ka qenë asistenca që FIBA mund t’ia ofrojë FBK-së në hartimin e Planit Strategjik 2021-2025.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu e prezantoi para zyrtarëve të FIBA-s punën që FBK-ja e ka nisur së bashku me Grupin e Punës të emëruar nga Bordi, në të cilin janë përfshirë të gjitha palët e interesit të FBK-së.

Arben Fetahu, kryetar i FBK-së, u shpreh shumë i lumtur dhe tregoi më shumë detaje rreth takimit.

Ishte takim shumë i frytshëm dhe shumë i mirëseardhur. Ne patëm rastin të prezantojmë para FIBA-s arsyen pse kemi vendosur të fillojmë punën në hartimin e planit strategjik. Ne i informuam zyrtarët e FIBA-s se askush nuk na ka shtyrë apo nuk ka kërkuar nga ne që ta hartojmë planin strategjik, por ka qenë vetë FBK-ja që e ka kuptuar se, ka nevojë për një plan strategjik, duke marr parasysh zhvillimet e mëdha që i ka përjetuar Federata në disa vitet e fundit“, tha Fetahu.

Elvira Dushku, Sekretare e përgjithshme e FBK-së, tha se FBK është me fat që FIBA do të asistoj në këtë projekt.

“Bëhet fjalë për Geoff Wilson, i cili është ekspert i jashtëm i angazhuar nga FIBA për asistencë Federatave anëtare të FIBA-s në hartimin e planeve strategjike dhe planeve operacionale. Krahas FIBA-s, Wilson bashkëpunon edhe me institucione të tjera sportive të rëndësishme nëpër botë si FIFA dhe UEFA, ndërsa unë kam pasur rastin ta kem në rolin e profesorit në edukimin të cilin unë e kam përfunduar në kuadër të FIBA-s në vitin 2018, FIBA TIME-OUT Program. Mund të thuhet lirisht se është ndër më të mirët në fushën e tij dhe ne jemi me fat që ai do të na asistojë në hartimin e planit strategjik të FBK-së, që është një prej projekteve më të mëdha që FBK do të hartojë, por edhe do të implementoj në vitet në vazhdim”, përfundoi ajo.