Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, vlerësoi se jeta po fillon të kthehet në normalitet, bizneset po fillojnë të hapen, po kthehet lëvizja e lirë, ndërkaq së shpejti do të hapen edhe kufijtë.

“Po hapemi, siç këtë po e bëjnë të gjitha vendet rreth nesh dhe në botë. Tani jemi përpara dy zgjedhjeve. Të mësohemi pa kushte t’i respektojmë masat për mbrojtje të shëndetit, të cilat janë parakusht për normalizim të gjendjes apo me mosrespektim të masave të rrezikojmë sërish kthimin prapa drejt restriksioneve dhe masave të ashpra”, deklaroi Filipçe, raporton TV21.

Ai potencoi se analizat e epidemiologëve konstatuan se gjendja është stabile, ndërsa strategjia e deritanishme dha rezultat.

“E mbrojtëm sistemin shëndetësor dhe e mbajtëm epideminë nën kontroll. Ky ishte parakusht për t’i lehtësuar masat restriktive. Por, masat për mbrojtje personale mbeten të vlejnë dhe duhet plotësisht të respektohen. Mbajtja e domosdoshme e maskës apo mbulimi i gojës dhe hundës, mbajtja e distancës fizike, higjiena e rregullt dhe dezinfektimi i duarve janë masa të cilat mbeten pjesë e përditshmërisë sonë. Me këto masa ne vazhdojmë më tutje dhe me to do të mbrohemi”, theksoi ministri Filipçe.

Filipçe theksoi se virusi nuk do të largohet dhe me të do të duhet të mësohemi të jetojmë dhe atë për një periudhë më të gjatë kohore. Kjo do të thotë, nënvizoi, se përgjegjësia e qytetarëve tani është akoma më e madhe./21Media